Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se vlerësimi i PISA-s për nivelin e edukimit në Kosovës tregon se duhet bërë më shumë në këtë fushë.
“Duhet të përdoren të gjitha mundësitë dhe fondet që ky plan të zhvillohet dhe pastaj duhet të shohim ndërhyrjet në plan tek ata që e japin dhe në mënyrë që të kemi rezultate të mira”, tha Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Kurse ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se rezultati i testit “PISA” është tregues se fusha e arsimit në Kosovë është shumë keq.
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68 në mesin e 70 shteteve, cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
Më keq se Kosova renditen Algjeria dhe Republika Domenikane, ndërkohë Singapori është i radhitur në vendin e parë.
Testi “PISA” ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.