Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se Qeveria po bënë përpjekje maksimale për rikthimin e Trepçës në një dimension krejtësisht të ri.
Ai këto komente i bëri në një takim përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve, për nder të 28 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës.
“Është gati studimi i fizibilitetit dhe është zhvilluar një debat para disa ditëve. Edhe aty po presim një përgjigje se çka po thotë ky studim, çka duhet të bëhet më tutje për fazat e tjera të Trepçës, në fazën e përpunimit, finalizimit të produkteve, të shkritores, të metalurgjisë së zinkut, të industrisë kimike dhe në qoftë se duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet që studimet të na tregojnë se cila është mënyra më e mirë e financimit të investimeve në të ardhmen”, theksoi kreu i Qeverisë.
Gjatë këtij takimi drejtues të sindikatës paraqitën kërkesën për formimin e Bordit të Trepçës, për Ligjin për Pensione, “njohjen e përvojës së punës së minatorëve gjatë viteve të 90-ta, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes MZHE-së, menaxhmentit dhe sindikatës për adresimin e çështjeve që lidhen me minatorët e vdekur në vendin e punës dhe çështje të tjera”.
Ndërkaq drejtori Menaxhues i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, tha se përkundër problemeve të shumta, këtë vit “Java e Minatorëve” është shënuar me një gjendje më të relaksuar, duke shtuar se ethet se Trepça do të hyj në procedurë të likuidimit i takojnë të kaluarës.
“Është emergjente që Ligji të zyrtarizohet në aspektin e obligimeve që dalin. Në këtë periudhë të tranzicionit kemi bashkëpunim të plotë me MZHE-në”, tha drejtori Tmava, duke theksuar se janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që u takojnë.