×
  • Lajme
  • Insajderi

    Mustafa reagon pas lirimit të avokatit Berisha, e krahason Qeverinë Kurti me UDB-në

    Insajderi
    16 July 2023 - 16:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas lirimit të avokatit Besnik Berisha, pasi që i njëjti u arrestua për 48-orë të enjten.

    Mustafa, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka implikuar pushtetin në arrestimin e Berishës, teksa e ka krahasuar metodën e, siç tha ai, eliminimit të kundërshtarëve me atë të Administratës së sigurisë Shtetërore (UDB) të Serbisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Drejtësia sot nuk e cilësoi kriminel avokatin e mirënjohur kosovar, Besnik Berisha. Doli që kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij. Në arrestimin e kompetencës profesionale, arrestimin e guximit për të shprehur mendimin; arrestimin e dinjitetit njerëzor. Dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj (do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte ti eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete)”, ka deklaruar Mustafa në ‘Facebook’.

    Ish-kryeministri Mustafa ka akuzuar pushtetin për kundërshtimin e kërkesave të veteranëve të UÇK-së, teksa edhe ka përshëndetur vendimin e gjykatës për rastin e Berishës. Ai lëvdata ka pasur edhe për përfaqësues medial.

    “Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë,  pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet . Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi”, ka deklaruar ai.

    “Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi.  Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurte sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”, përfundon Mustafa. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark