×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Myftiu Tërnava me rastin e fillimit të Ramazanit bën lutje për ndalje të luftërave

    Insajderi
    22 March 2023 - 12:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët mysliman me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

    “Sonte fillimisht me faljen e namazit të taravive e nesër në agim me ngrënien e syfyrit, besimtarët myslimanë nisin muajin e agjërimit të Ramazanit”, tha ai.

    “Të dashur besimtarë agjërimi është ibadet i veçantë. Agjërimi si asnjë ibadet tjetër shfaq mëshirën  dhe mirësi. Muaji Ramazan si asnjë muaj tjetër na afron me familjen dhe farefisin afër sofrës së iftarit”.

    “Agjërimi i muajit Ramazan e afron besimtarin më Krijuesin. Në këtë natë të madhe, në vigjilje të këtij muaji të madh, lusim Zotit të ndalë luftërat dhe vuajtjet e njerëzve”.

    “Duke iu uruar të gjithëve mbarësi e shëndet – Urime të gjithëve ky muaj i shenjtë i Ramazanit.”

    Mes tjerash Tërnava ka bërë lutje për ndaljen e luftërave dhe që popujt të jetojnë në paqe e harmoni.

    “Mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit janë më se të nevojshme për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte. Prandaj, në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimi të këtij muaji të madh, lusim Zotin xh.sh. që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet, dhe popujt të jetojnë të qetë në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në këtë botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet, ashtu siç na ka udhëzuar Krijuesi i gjithësisë”.

    Fjalimi i plotë:

    Të nderuar besimtarë,

    Vëllezër dhe motra,

    Të nderuar qytetarë të Kosovës!

    Sonte, fillimisht me faljen e namazit të taravive e nesër në agim me ngrënien e syfyrit, besimtarët myslimanë nisin muajin e agjërimit – Ramazanin. Andaj, kam kënaqësinë që sot në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje e shpresë që muajin e bekuar Ramazan ta presim e ta përjetojmë në formën më të mirë.

    Të dashur besimtarë,

    Agjërimi është ibadet i veçantë, që realizohet në muajin e caktuar, me vakte, mision e synim të caktuar. Agjërimin, besimtarët e kryejnë me përkushtim e devocion për hir të Krijuesit dhe për të merituar mëshirën dhe begatitë e Tij. Përveç kësaj, agjërimi si asnjë ibadet tjetër shpërfaqë bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj Krijuesit tonë – Zotit xh.sh..

    Muaji Ramazan është një ibadet që bëhet për dhe në emër të Zotit, dhe për besimtarët shënon edhe muajin e shtimit të ibadeteve, faljes së namazeve shtesë, bërjes më shumë lutje e dua, ndjesisë ndaj fëmijëve, skamnorëve, jetimëve dhe njerzëve në nevojë. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit, shtëpitë tona, rrugët e xhamitë tona gjallërohen e mbushen plot gëzim, rahmet e begati, sepse vetë agjërimi e bënë besimtarin më të qetë, e fisnikëron dhe e bënë më dorëlirë e më solidarë.

    Muaji Ramazan, si asnjë muaj tjetër na afron me familjen e farefisin rreth sofrës së iftarit – moment ky që është i veçantë e në të cilin ka shumë bereqete dhe shumë dashuri. Po ashtu, gjatë këtij muaji jemi më pranë dhe në mbështetje të njëri-tjetrit.

    Besimtarë të nderuar,

    Muaji Ramazan është i veçantë edhe për një arsye tjetër. Në këtë muaj, Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s., ka filluar t’i zbresë Kurani fisnik, e përmes tij edhe besimtarëve dhe botës mbarë, prandaj muaji Ramazan njihet më të drejtë edhe si muaj i Kuranit fisnik dhe, duke medituar në mesazhet dhe porositë e tij, ne përfitojmë mirësi e sevape në këtë dhe botën tjetër. Për muajin e agjërimit, Allahu xh.sh., në Kuranin fisnik ka thënë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”

    Vëllezër dhe motra,

    Populli ynë ka një traditë disa shekullore të bashkëjetesës me mirësitë e muajit të bekuar Ramazan, të cilën e shprehin me agjërim, falje, lutje, respektim e vizita të ndërsjella me njëri-tjetrin, solidaritet, humanitet e bashkëndjesi.

    Agjërimi i muajit Ramazan besimtarin e afron me Krijuesin, e largon nga egoja, urrejtja e smira, e motivon për punë e vepra të mira e të hairit.

    Mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit janë më se të nevojshme për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte. Prandaj, në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimi të këtij muaji të madh, lusim Zotin xh.sh. që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet, dhe popujt të jetojnë të qetë në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në këtë botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet, ashtu siç na ka udhëzuar Krijuesi i gjithësisë.

    Duke ju uruar të gjithëve mbarësi e shëndet, ju dëshiroj që muajin e madhëruar Ramazan ta përjetojmë me të gjitha mirësitë e begatitë e tij!

    E lus të Madhin Zot që të na lehtësojë agjërimin dhe të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e Ramazanit.

    Urime të gjithëve muaji Ramazan!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark