Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është përgjigjur deputetëve në çështjet që ata i kanë ngritur për situatën në veri dhe dialogun me Serbinë.
“Nuk është abnormalizimi tani, abnormalizimi ka qenë gjithmonë atje, por ndonjëherë është kamufluar”, tha Kurti në Kuvend.
“Neve na nevojiten serbët në institucione, por nuk na nevojiten serbë të cilët japin dorëheqje kur i urdhëron Beogradi, mbushja e institucioneve me serbë të cilët me një thirrje nga Beogradi japin dorëheqje, nuk është shtetndërtim demokratik ajo është vetëmashtrim i yni”, tha tutje ai.
Kryeministri Kurti më tej, i ka quajtur dorëheqjet e kryetarëve të komunave, gjykatëseve, prokurorëve e policëve, vendime politik të cilat kanë ardhur si dorëheqje “për arsye të paqena”.
“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.
Lexo edhe:
Kurti këto deklarata i ka bërë pas rezolutës së paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila parasheh katër pika:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi.
Kundër këtyre pikave ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu ka deklaruar Armend Muja, deputeti i Albin Kurtit në Kuvend.
“Ne nuk do ta mbështesim rezolutën e prezentuar nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Muja para deputetëve, shkruan Gazeta Insajderi.