Kandidati i PDK-së për deputet, Naim Telaku, ka bërë thirrje për themelimin e Odës së Psikologëve të Kosovës, duke vlerësuar se kjo është një nevojë urgjente për rregullimin dhe avancimin e profesionit të psikologut në vend.
Përmes një postimi publik, Telaku ka theksuar se çështjet e shëndetit mendor po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha, ndërsa profesioni i psikologut vazhdon të funksionojë pa një strukturë të qëndrueshme institucionale që do të garantonte standarde të qarta profesionale dhe etike.
Sipas tij, Oda e Psikologëve do të kishte rol kyç në licencimin dhe mbikëqyrjen e praktikës psikologjike, respektimin e standardeve etike, si dhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Telaku vlerëson se një institucion i tillë do të krijonte mekanizma të qartë llogaridhënieje, do të nxiste zhvillimin profesional të vazhdueshëm dhe do të kontribuonte në forcimin e pozitës së profesionit të psikologut në nivel kombëtar.
Ai ka theksuar se kërkesa për mbështetje psikologjike po rritet vazhdimisht, ndërsa mungesa e një baze të plotë ligjore dhe profesionale po e vështirëson ofrimin e shërbimeve të organizuara dhe afatgjata.
“Themelimi i Odës së Psikologëve tejkalon interesat e një profesioni të vetëm. Është një nevojë e shoqërisë në tërësi dhe një investim në shëndetin, qetësinë dhe kohezionin social”, ka theksuar Telaku.