Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Naim Telaku, ka prezantuar qëndrimin e tij për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se rritja e pagave është e domosdoshme për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Në një deklarim publik, Telaku ka thënë se gjatë viteve të fundit pagat janë zhvlerësuar ndjeshëm, duke bërë që fuqia blerëse e qytetarëve të mos e mbulojë as muajin e plotë të shpenzimeve.
Sipas tij, standardi i një page dinjitoze duhet të mundësojë mbulimin e kostove të jetesës dhe krijimin e një kursimi prej rreth 20 për qind, gjë që aktualisht, siç thotë ai, nuk është e mundur për shumicën e familjeve në Kosovë për shkak të inflacionit.
“Prandaj në programin tonë parashihet rritja e pagave prej 50%. Këtë nuk e shohim si luks, por si domosdoshmëri. Fuqia blerëse duhet të kthehet në dorën e qytetarit”, ka deklaruar ai.
Telaku ka shtuar se kjo masë është pjesë e programit të tij politik, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Stop krizës, ndrysho Kosovën.”