Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka publikuar një video ku shihet duke nënshkruar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe duke e proceduar atë për në Qeveri.
Gërvalla, e cila tash e 10 ditë nuk ka thënë asnjë fjalë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, me këtë publikim duket se tenton ta eklipsojë mos reagimin e saj për vendimin e Hagës.
Në video, Gërvalla shihet në disponim me stafin e saj, ndërsa premton se ligji për Byronë do të jetësohet.
“Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit. Nuk ka rrugë tjetër. Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet dhe do ta jetësojmë!”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është përcjellë me reagime e protesta në Kosovë.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.