Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca dhe administrata e re amerikane pajtohen për nevojën e dialogut me Rusinë “nga një pozicion i forcës”.
Stoltenberg tha të martën se në një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, “ata të gjithë kanë përcjellë mesazhin e njëjtë se SHBA-ja mbetet e angazhuar ndaj NATO-s dhe lidhjes transatlantike”.
“Mesazhi i administratës së re është se edhe ajo do dialog me Rusinë, por nga një pozicion i forcës”, shtoi Stoltenberg.
Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, shkruan REL.
Trump, i cili ka marrë detyrën më 20 janar, ka thënë se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë dhe ka shqetësuar Evropën duke e quajtur NATO-n “organizatë të vjetruar”.