×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ndërhyrja Policisë nën ndikimin e Qeverisë dhe sulmi i pazbuluar, rastet e Insajderit që Departamenti amerikan i Shtetit i përfshiu në raportin për Kosovën

    Insajderi
    13 April 2022 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për Kosovën është fokusuar edhe tek situata e mediave. Theks të veçantë u është dhënë rasteve të Insajderit. Aty është folur për rastin kur Policia nën ndikimin e Qeverisë ndërhyri në Gazetën Insajderi duke intervistuar Parim Ollurin, drejtorin e gazetës për një hulumtim, dhe rastin ende të pazgjidhur të sulmit fizik ndaj gazetarit hulumtues, Visar Duriqi.

    Gazeta Insajderi

    “Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, raporte të besueshme tregojnë që disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese e grupe fetare vazhduan përpjekjet që frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet me financimin gjithashtu minuar pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi për të marrë informacion nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht  ekzistimit të ligjit për qasje në dokumente publike”.

    Kështu nis raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, tek pjesa e mediave.

    Sipas këtij raportin, për një vit, gjatë vitit 2021 pra, janë raportuar 26 raste ku zyrtarë qeveritarë, grupe të interesit e grupet fetare kanë cenuar lirinë e medias duke sulmuar apo kërcënuar verbalisht gazetarët.

    Në këtë raport theks të veçantë u është vënë rasteve të Gazetës Online Insajderi.

    “Në fund të shkurtit gazetari hulumtues Visar Duriqi u sulmua para shtëpisë së tij nga tre persona të cilët thuhet se prisnin kthimin e tij. Ai ishte lënduar rëndë, duke përfshirë një hundë të thyer dhe humbje të dhëmbëve, dhe kërkoi trajtim në spital. Raportimi i Duriqit mbulonte shpesh krimin dhe korrupsionin, duke përfshirë analizën e abuzimeve masive të subvencioneve në bujqësi për të cilat ai foli në televizionin Kanal-10 në mbrëmjen kur u sulmua. Policia hapi një hetimet për rastin, por asnjë i dyshuar nuk është identifikuar. Avokati i Popullit e cilësoi dhunën si sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në këtë raport.

    Më 25 shkurt u bënë një vit nga ky sulm. Të pyetur nga Insajderi Policia i në ato ditë kishte thënë se rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, derisa kjo e fundit ka thënë se prokurori i çështjes ka autorizuar policinë për grumbullimin e informative.

    “Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj ju njoftojmë se prokurori i çështjes ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë”, pati thënë Laureta Ukaj, zëdhënësja në Prokurori. Sipas saj “rasti është në proces”.

    Vet gazetari pati shkruar ato ditë publikisht që ka muaj që hetuesit e rastit as nuk e kanë kontaktuar, derisa të njëjti nuk i është ofruar as ndonjë raport i vlerësimit të gjendjes së rrezikshmërisë.

    InDoks, emisioni i gazetarit të Duriqit që është prodhim i Insajderit ka transmetuar një seri dokumentarësh për krimin e organizuar në Kosovë, për figurat deri atëherë të pa përmendura në publik nga bota e krimit, për korrupsionin si dhe për grupe religjioze radikale me lidhte me terrorizmin.

    Raporti amerikan në pah ka vënë edhe rastin kur Policia e Kosovës nën ndikim të Qeverisë ndërhyri në Insajderi pas një hulumtimi në fushën e shëndetësisë.

    “Më 17 prill, hetuesit e policisë intervistuan Parim Ollurin, drejtor i Gazetës Online Insajderi, për raportimit për Ministrin e Shëndetësisë mbi dështimin e supozuar për të nënshkruar një blerje zyrtare të vaksinave Pfizer COVID-19”, thuhet në raport dhe tregohet se Olluri tha se policia i kërkoi atij të identifikonte burimet e tij të informacionit. 

    Raporti rikujton se shoqata e gazetarëve dhe shoqëria civile dënuan atë kohë këtë akt të Policisë dhe Qeverisë që shkelte Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve.

    Më 16 prill 2021, Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtimin “Arben Vitia nuk e nënshkruan kontratën me Pfizer dhe BioNtech, rrezikon jetën e mijëra kosovarëve”.

    Aty zbulohej se si në atë kohë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte refuzuar të nënshkruajë kontratën me kompaninë amerikane Pfizer dhe BioNTech për t’ia siguruar vaksinat Kosovës. Për pasojë furnizimi me 500 mije doza vaksinash Pfizer pritej që të shtyhej edhe për disa muaj.

    Pas hulumtimit ministri Vitia doli me një konferencë për media duke e ka cilësuar si të pavërtetë raportimin e Insjaderi, duke mos dhënë asnjë kundërargument e duke u arsyetuar se të njëjta janë konfidenciale.

    Nga konferenca Vitia kërcënoi direkt Gazetën Insajderi duke e ftuar edhe Prokurorin e Shtetit që të nis hetim ndaj Gazetës Insajderi.

    Mëngjesin e ditës tjetër, Policë të njësisë së Krimeve të Rënda pa dërguar ftesë paraprake kishin hyrë në zyrat e Insajderit. Ata me ngulm tentonin që të zbulohej burimi i këtij informacioni.

    Pasi që nuk do ti merrnin këtë informacion, që vetë kërkesa ishte në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, Policia do të ftonte në intervistim Drejtorin e Insajderit, Parim Olluri.

    Edhe pse Qeveria, në këtë rast Ministri Vitia, kishte instistuar për hetime ndaj Insajderit, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati sqaruar përmes një komunikate tjetër se hetimet për veprën penale në fjalë do të bëhen ndaj personave zyrtarë dhe jo ndaj gazetarëve dhe mediave./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark