×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pjetër Shala kërkon të kontaktojë me ekipin mbrojtës, ndërpritet seanca

    Insajderi
    06 June 2023 - 11:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Seanca e të martës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) ndaj Pjetër Shalës është ndërprerë për 20 minuta, në mënyrë që Shala të kontaktojë me ekipin mbrojtës për këtë periudhë.

    Lajmin e bëri të ditur, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia.

    ‘‘Do të bëjmë një pushim prej 20 minutash, njësia e administrimit të gjykatës do të lehtësoj kontaktin ndërmjet të akuzuarit dhe ekipit mbrojtës të tij dhe pastaj do kthehemi përsëri në sallë në mënyrë që të mund të vazhdojmë me kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit’’, tha ajo. Ndryshe, seanca e sotme ka nisur me marrjen në pyetje të dëshmitarit të shtatë (me kodin 1) nga ekipi mbrojtës në seancë private.

    Mbrojtja vazhdon me kundra-pyetjet e fundit ndaj dëshmitarit të shtatë në rastin e Pjetër Shalës. Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), seanca e të martës po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të shtatë (me kodin 1), i cili ka filluar të përgjigjet në kundra-pyetjet e fundit të mbrojtjes.

    Mbrojtësi i Shalës, avokati Mohamed Hédi Aouini ka kërkuar të kalohet në seancë private për të vijuar me pyetjet ndaj dëshmitarit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’. Shala, sikurse edhe ditët tjera është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

    Kujtojmë se Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021. Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark