×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ndëshkimi i SHBA-së ndaj Kosovës, PDK del me një propozim për Kurtin dhe Osmanin

    Insajderi
    30 May 2023 - 19:48

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, që të mbledhin me urgjencë Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

    Në reagimin e tyre pasi SHBA ndëshkoi Kosovën me përjashtimin nga stërvitja ushtarake “Defender 23”, PDK thotë se ka përkeqësim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    “ Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

    “Edhe një herë, duke pasur parasysh peshën dhe kompleksitetin e situatës si dhe tensionet e ngritura në pjesën veriore të vendit, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i bën thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”, thuhet më tej.

    PDK-ja po ashtu ka dënuar edhe dhunën e protestuesve serbë në drejtim të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    Njoftimi i plotë:

    Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar me zhvillimet e fundit që e kanë sjellë Kosovën në përballje të rrezikshme me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rimendojë dhe të ndryshojë urgjentisht qasjen e saj.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PDK-së, u shpreh i shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend dhe me drejtimin e përgjithshëm që ka marrë Kosova nën drejtimin e Kryeministrit Albin Kurti.

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme.

    Po ashtu, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës e dënon fuqishëm dhunën e grupeve kriminale të drejtuar kundër pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe Policisë së Kosovës, dhe veçanërisht kundër përfaqësuesve të mediave, të cilët janë penguar dhe sulmuar në kryerjen e detyrës së tyre në shërbim të informimit të qytetarëve.

    Anëtarët e Kryesisë shprehën mbështetje të plotë për kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, që vijnë nga radhët e PDK-së, të cilët me përgjegjshmëri kanë treguar gatishmëri për t’ju shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim, por edhe bëjnë thirrje për rikthimin e normalitetit për të mundësuar zbatimin e mandateve të tyre.

    Edhe një herë, duke pasur parasysh peshën dhe kompleksitetin e situatës si dhe tensionet e ngritura në pjesën veriore të vendit, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i bën thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.

    Partia Demokratike e Kosovës fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e çfarëdo manipulimi apo sjelljeje të dhunshme e cila cenon rendin, ligjin dhe demokracinë në vendin tonë dhe që rrezikon të ketë pasoja afatgjata për shtetin tonë. /Insajderi.org/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark