Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, mund të përballet me drejtësinë në Zvicër lidhur me keqpërdorimin e një pensioni afër gjysmë milioni frangash, para të cilat dyshohet t’i ketë shfrytëzuar për të financuar një grup kriminal në Kosovë.
Syla kishte përfituar rreth 480 mijë franga zvicerane në formë ndihme sociale për shkak se konsiderohej si person me aftësi të kufizuara mendore, në kohën kur në Kosovë ai kishte mbajtur edhe pozita të larta politike, siç është ajo e deputetit.
Në vitin 2012, prokuroria zvicerane i kishte thënë autoriteteve kosovare se e konsideron si të çuditshme që një person me një prapavijë politike të profilit të lartë dhe një histori të heroit të luftës, njihej në Zvicër si një person me ‘aftësi të kufizuar mendore’.
Insajderi ka raportuar gjatë vitit 2016 – duke u bazuar në pretendime të prokurorisë së Kosovës – se paratë të cilat Syla dyshohet t’i ketë përfituar jashtëligjshëm në Zvicër i ka përdorur për të financuar një grup kriminal në Kosovë.
Në mars të vitit të kaluar, Insajderi raportoi se Prokuroria ka mbledhur prova të mjaftueshme për ta çuar në burg Sylën duke u bazuar në pretendimet e dy dëshmitarëve, njëri prej të cilëve është Nazim Bllaca.
Në të kaluarën, Bllaca ka qenë anëtar afatgjatë i grupit dhe i ka njohur në tersi anëtarët e grupit të Sylës si dhe aktivitetet e biznesit, para se të bëhej dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.
Ai dyshohet se është tentuar të vritet nga bashkëpunëtorë të afërt të Azem Sylës.
Për kokën e Bllacës, 100 mijë euro i ishin dhënë Hysri Ramës nga ana e Fahredin Gashit.
“Kur Nazim Bllaca ka hyrë në konflikt me anëtarët tjerë të grupit, përkatësisht me Fahredin Gashin, grupi ka angazhuar Hysri Ramën për ta vrarë duke i ofruar 100 mijë euro për kryerjen e vrasjes”, thotë Prokuroria.
“Dëshmitari u detyrua të largohet dy vjet nga vendi dhe u kthye pas më shumë se dy vjetësh, kur filloi bashkëpunimin e tij me Prokurorinë Speciale”, ka sqaruar prokuroria lidhur me këtë rast.
Emri i ish-deputetit të PDK-së, përmendet edhe në planin për të vrarë deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj.
Emri i Sylës ishte përmendur në një aktgjykim ku ka qenë i përfshirë Bllaca, të njohur si rasti Bllaca 2.
Aty flitet për Azem Sylën, ndonëse nuk ishte i akuzuar. Dy faqe të plota të aktgjykimit flasin për rolin e tij si udhëheqës i grupit.
Thuhet se Syla urdhëroi vrasjen e Adem Salihajt.
Në këtë aktgjykim theksohet se Azem Syla, nuk ka qenë i pandehur në këtë rast dhe nuk ka pasur akuza të krimit të organizuar kundër secilit të pandehur, megjithatë, trupi gjykues gjeti se provat në lidhje me këto pika janë mjaftë tronditëse.
“Gjykata ka gjetur të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se arma, (me të cilën është vrarë Ibush Kllokoqi v.j.) i është dhënë Fahredin Gashit nga një person në makinë, ku ndodhej Azem Syla”, thotë ai.
Në këtë aktgjykim të citur nga prokurori thuhet se Gjykata ka gjetur të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se urdhri për ta vrarë Adem Salihajn ka ardhur nga Azem Syla./Insajderi.com