Në seancën gjyqësore ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, mbrojtja ka hequr dorë nga marrja në pyetje e të pandehurit, ndërsa ka bërë të ditur se deklarimet e tij do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare.
Me propozim të mbrojtjes, avokati Luar Prenaj ka marrë fjalën përfundimtare. Ai deklaroi se, pas konsultimit me të pandehurin, mbrojtja heq dorë nga e drejta për deklarimin dhe marrjen në pyetje të tij, duke bërë të ditur se deklarimet e Sveçlës do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla, më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, dyshohet se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur atë brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.
Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.
Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.
Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.
Pas ndryshimit të aktakuzës, seanca ka vazhduar me fjalët përfundimtare të palëve./BetimiperDrejtesi/