Një fetë bukë normale konsiderohet si një racion, por jo çdo fetë është e njëjtë me tjetrën, ndaj kujdesuni që buka të jetë me drithëra të plota.
Po ashtu, racioni ditor i bukës dhe i drithërave është në varësi të moshës, gjinisë dhe aktivitetit fizik.
Racioni i drithërave përmban bukën dhe çdo drith tjetër që konsumoni. Ekspertët thonë se gratë nga 19 deri në 50 vjeç duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë.
Gratë mbi 50 vjeç duhet të konsumojnë 5 racione drithi në ditë. Burrat nga 19 në 30 vjeç kanë nevojë për 8 racione drithi në ditë, ndërsa ata nga 31 deri në 50 vjeç kanë nevojë për 7 racione.
Burrat mbi të pesëdhjetat duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë. Fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për më pak racione drithi në ditë.
Drithërat e plota
Sipas të dhënave, drithërat e plota, pra jo të përpunuara, janë më të pasura në ushqyes. Ekspertët këshillojnë se gjysma e bukës që konsumoni çdo ditë duhet të jetë e përgatitur me drithëra të plota.
Ushqyesit që ofron buka
Në varësi të drithit të përdorur, buka ofron vitamina të grupit B, minerale dhe fibër. Vitaminat B rregullojnë metabolizmin dhe ndihmojnë sistemin nervor.
Fibra është e nevojshme për tretjen, ndërkohë që mineralet janë të domosdoshme për sistemin imunitar dhe nivelet e oksigjenit në gjak./aw/