Insajderi
Lajme

Në çantën personale të pronarit të “Humana-V” gjenden barna ilegale

Insajderi
22 June 2026 - 09:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Në çantën personale të pronarit të “Humana-V” gjenden barna ilegale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka kryer një inspektim në barnatoren “Humana-V” në Vushtrri, pas një kërkese nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë.

Sipas raportit zyrtar, inspektimi është realizuar më 26 gusht 2025, ndërsa raporti përfundimtar mban datën 28 gusht 2025.

Subjekt i kontrollit ka qenë qarkulluesi farmaceutik me pakicë për produkte dhe pajisje medicinale, barnatorja “Humana-V”, e cila operon në rrugën “Sheshi Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Në raport thuhet se gjatë inspektimit janë kontrolluar dokumentacioni përkatës, hapësirat e barnatores, produktet dhe pajisjet medicinale, si dhe është verifikuar prezenca e stafit profesional.

Në kohën e inspektimit, barnatorja ka qenë e hapur dhe shërbimi farmaceutik është ofruar nga farmacisti përgjegjës Visar Muli, i cili, sipas raportit, figuron njëkohësisht si person përgjegjës i licencuar dhe pronar i barnatores.

Megjithatë, përtej verifikimeve rutinore të licencës dhe stafit profesional, inspektorët kanë evidentuar një gjetje serioze. Brenda hapësirave të barnatores, konkretisht në çantën personale të pronarit, janë gjetur produkte medicinale pa banderolë, raporton Front Online.

Sipas raportit të Inspektoratit Farmaceutik, për këto produkte pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen, dokumentacion përcjellës apo autorizim për qarkullimin e tyre në tregun e Republikës së Kosovës.

Inspektorët kanë konstatuar se produktet medicinale e gjetura ishin të paautorizuara për qarkullim në tregun vendor dhe, si të tilla, ato janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik.

Raporti thekson se barnatorja “Humana-V” posedon licencë valide të lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, ndërsa farmacisti përgjegjës Visar Muli është i licencuar. Megjithatë, prania e produkteve pa banderolë brenda barnatores është konstatuar si shkelje e dispozitave ligjore që rregullojnë qarkullimin e produkteve dhe pajisjeve medicinale në Kosovë.

Pjesë e dokumentacionit është edhe lista përcjellëse e mallrave të konfiskuara, ku figurojnë produktet medicinale të gjetura gjatë kontrollit. Procesverbali i inspektimit mban numrin 0016724.

Rasti konsiderohet veçanërisht i rëndë për shkak se kontrolli nuk është zhvilluar si një inspektim rutinor, por është kryer me kërkesë të Policisë së Kosovës, konkretisht të Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë.

Sipas dokumenteve zyrtare, produktet pa banderolë të gjetura në barnatore janë trajtuar si produkte të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës, ndërsa mungesa e dokumentacionit që dëshmon prejardhjen e tyre ka shërbyer si bazë për konfiskimin nga inspektorët.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark