Në Ditën e Veteranëve, Kurti kujton rrethimin e parë nga policia serbe të shtëpisë së Shaban Jasharit në Prekaz – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Në Ditën e Veteranëve, Kurti kujton rrethimin e parë nga policia serbe të shtëpisë së Shaban Jasharit në Prekaz

    Insajderi
    30 December 2022 - 22:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Veteranëve ka kujtuar 30 dhjetorin e vitit 1991 kur policia serbe për herë të parë rrethoi shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij, Ademit.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se “ashtu siç në vazhdimësi kujtojmë dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës, sot kujtojmë shokët e tyre të gjallë, luftëtarët e lirisë që jetojnë mes nesh”.


    “Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne”, ka shkruar Kurti.

    Më tej, Kurti ka thënë se “Kjo ditë përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë, policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit, që sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake. Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: ‘Dorëzohu Adem Jashari’. Por Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje. Luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri, të një dekade rezistence të armatosur që do të përmbyllej më 1999 me çlirimin e Kosovës”.

    “Ky aksion policor i Serbisë pushtuese e okupatore në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, rezultoi me 2 persona të plagosur, 14 familje të bastisura dhe 50 të arrestuar, nga të cilët 27 u mbajtën gjithë ditën. Mes tyre edhe Shaban Jashari, që u mbajt 48 orë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë, ku u rrah dhe malltretua, siç duket edhe në këto fotografi të shkrepura nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës”.

    “Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të paepur të lirisë!”, ka shkruar Kurti.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    08 February 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark