Insajderi
Hulumtime/Analiza

Në IML, Universitet dhe kompani private – si grumbulloi pasuri të dyshimtë ekspertja e Mjekësisë Ligjore, Bergita Curri, dhe për çka po hetohet nga Prokuroria?

Insajderi
17 October 2025 - 16:06
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Në IML, Universitet dhe kompani private – si grumbulloi pasuri të dyshimtë ekspertja e Mjekësisë Ligjore, Bergita Curri, dhe për çka po hetohet nga Prokuroria?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një eksperte e Mjekësisë Ligjore, një asistente në Universitetin e Prishtinës, njëkohësisht edhe drejtoreshë e një kompanie private. Dhe pronare e disa pasurive. Kjo është pamja që del nga dokumentet që shohim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për Bergita Nikaj-Curri, emri i së cilës tashmë po përmendet edhe në hetime zyrtare, shkruan Gazeta Insajderi.

[Ky tekst është edituar pas vërejtjeve për një gabim teknik]

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar muaj më parë për Insajderin se ka hapur një hetim ndaj Curri.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në rastin konkret, Prokuroria pasi ka analizuar informatën ka autorizuar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë (DHKEK), për të ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur rastin konkret lidhur me informacionet -informata e pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), të datës 28.08.2024”.

“Me datë, 02.05.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar raportin informues lidhur me veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës – me numër DHKEK-P-204/2025. Tani jemi në fazën përfundimtare të vendosjes së këtij rasti”, thuhej në përgjigjen e prokurorisë me 28 maj.

Dyshimet janë për shkelje të rregullave për punësim të dyfishtë. Ajo është angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë, ndonëse është punëtore e rregullt në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar informatat te Prokuroria më 2 maj 2025. Hetimi është duke vazhduar. Ende nuk ka aktakuzë.

Sot, katër muaj pas dërgimit të pyetjeve të para dhe marrjes së një përgjigjeje nga Prokuroria Themelore, Insajderi ka kërkuar të dijë deri ku kanë shkuar hetimet. Deri tani nuk kemi marrë përgjigje.

Por, çka ka deklaruar Nikaj-Curri në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit?

Tre pozita njëkohësisht

Nga raporti i deklarimit të pasurisë rezulton se Curri, përveç funksionit të saj zyrtar si Eksperte e Mjekësisë Ligjore në IML (që nga 20 shtatori 2017), ushtron edhe dy funksione të tjera:

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në zonën e QKUK-së, si bashkëpunëtore jashtëm për ushtrime për lëndë teorike e praktike. Ky angazhim figuron aktiv nga 15 shtatori 2023 deri më 30 shtator 2023.

Njëkohësisht është drejtoreshë e kompanisë “BC Ekspertiza” në Fushë Kosovë, e regjistruar më 16 mars 2017.

Kjo ngre dyshime për konflikt interesi. Nëse IML ofron ekspertiza për gjykatat, e njëjta fushë mbulohet nga kompania që drejton Curri.

Insajderi, lidhur me rastin ka kërkuar përgjigje edhe nga Universiteti i Prishtinës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Pasuri të shumta të paluajtshme, pak të luajtshme  

Sipas deklarimit të bërë në APK, Curri figuron me pesë pasuri të paluajtshme: 1. Banesa 109.49 m² – e blerë më 2021, me vlerë 87,592 euro. 2. Banesa 73.00 m² – e blerë më 2013, me vlerë 26,513 euro. 3. Depo 2.43 m² – e blerë më 2021, në vlerë 1,400 euro. 4. Depo tjetër 9.00 m² – e blerë më 2016, me vlerë 3,000 euro. 5. Garazhë 12.00 m² – e blerë më 2021, me vlerë 3,000 euro.

Pasuritë janë kryesisht të deklaruara si të përbashkëta me bashkëshortin, ndërsa njëra banesë është në pronësi të saj të plotë.

Pasuri të luajtshme dhe detyrime bankare

 Në listën e pasurive të luajtshme mbi 3,000 euro, Curri ka deklaruar një veturë Peugeot, të blerë më 2018, me vlerë 14,700 euro, e financuar përmes kursimeve dhe kredisë.

Sa i përket detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar dy kredi aktive:

Një kredi për ndërtimin e shtëpisë në TEB SH.A, në vlerë fillestare 25,000 euro, e hapur më 1 nëntor 2020, me afat deri më 1 tetor 2029. Deri më tani, shuma e mbetur e detyrimit është 16,326 euro.

Një tjetër kredi për blerjen e banesës, marrë nga NLB Banka më 1 prill 2021, në vlerë 87,592 euro, me afat deri më 1 mars 2041. Shuma e mbetur për t’u shlyer është 77,806 euro.

Asnjë deklarim për llogari bankare, aksione apo kriptovaluta

Në raport, Curri ka deklaruar se nuk posedon llogari bankare me para të gatshme, aksione, letra me vlerë, apo kriptovaluta. Po ashtu, nuk ka dhënë asnjë donacion në parti politike.

Të ardhurat vjetore të Bergita Nikajt-Currit dhe bashkëshortit

Sipas dokumentit, çifti Nikaj-Curri ka përfituar gjithsej 32,805 euro gjatë vitit të fundit, nga burime të ndryshme profesionale dhe kompensime të jashtme.

Bergita Nikajt-Curri, e angazhuar në sektorin shëndetësor dhe atë ligjor, ka deklaruar të ardhura të ndara në disa kategori, përfshirë:

11,680 € nga BC Ekspertiza, për shërbime si eksperte mjeko-ligjore;

16,174.62 € nga Instituti i Mjekësisë Ligjore si pagë neto;

1,201 € nga Fakulteti i Mjekësisë;

Shuma shtesë përfshijnë mëditje, kompensime nga kompani ajrore, si dhe shtesa familjare, duke e çuar totalin e saj personal në 30,590.05 €.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj ka realizuar:

11,740.08 € si pagë neto nga Policia e Kosovës;

275 € si kompensim nga kompania ajrore “Easy Jet”, me seli në Slloveni.

Të ardhurat e kombinuara të çiftit Nikajt-Curri arrijnë shumën e konsiderueshme prej mbi 32 mijë eurosh, duke reflektuar një stabilitet të lartë financiar dhe angazhim në disa fusha profesionale.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark