
Policia e Shtetit të Shqipërisë ka njoftuar se tre shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe përkrahje të të shumëkërkuarit T. Ç., janë kapur në Dubai, si rezultat i një operacioni të gjerë ndërkombëtar, transmeton Insajderi.
Policia njofton se falë shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, nëpërmjet Interpol-it, janë finalizuar tri faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar:
E. D., 38 vjeç, ndaj të cilit GjKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra të rënda penale si: “Vrasja me paramendim” (mbetur në tentativë), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai dyshohet se ka informuar atentatorët për lëvizjet e viktimës së synuar, ka siguruar mjetet për atentate dhe ka strehuar të shumëkërkuarin T. Ç.
M. K., 39 vjeç, i cili gjithashtu është i dyshuar për vrasje me paramendim, për interes dhe hakmarrje, si dhe për sigurim kushtesh për vrasje e përkrahje të autorëve të krimeve. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e K. K. dhe I. A., si dhe ka ndihmuar T. Ç. për t’u fshehur.
A. Xh., 40 vjeç, ndaj të cilit rëndon akuza për “Përkrahje të autorit të krimit”, pasi për rreth dy vite ka ndihmuar T. Ç. duke i krijuar kushte për jetesë dhe madje ka shoqëruar një gazetar për ta intervistuar.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.