×
  • Lajme
  • Analiza

    Në kërkim të fshirjes së njollës “Anti-UÇK”, Qeveria Kurti ideon ‘mekanizëm mbikëqyrës’ per Specialen

    Insajderi
    23 July 2022 - 20:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi

    Absolutiste dhe hermetikisht të mbyllur e ka quajtur Gjykatën Speciale kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, një muaj më parë kur ishte në Hagë.

     “Kjo gjykatë është absolutiste, kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt, kjo gjykatë madje nuk kanë mekanizëm as shtetet të cilat e financojnë me para këtë gjykatë dhe prej të cilave i marrin rrogat gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës pra në këtë kuptim natyrisht ata janë të pakënaqur ashtu siç është i pakënaqur edhe krejt populli i Kosovës për arsye se aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka qenë institucioni më i rëndësishëm i UÇK-së”, pati thënë Konjufca, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas kthimit nga atje ku takoi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i legjislativit tha se kjo gjykatë nuk i është dukur e Kosovës dhe ka deklaruar që institucionet e Kosovës duhet të koordinohen në mënyrë që të vijnë deri të një koncept për një mekanizëm demokratik të kontrollit mbi këtë gjykatë.

    “Për të qenë gjykatë në përputhje me drejtësinë, për të qenë gjykatë e drejtësisë e jo gjykatë e politikës, ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont, bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari Gjykata Speciale por në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, tha Konjufca një muaj më parë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës duhet t’i bashkërendojnë të gjitha hapat në mënyrë që të mund të arrihet deri të një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik të kësaj gjykate.

    Se kjo duhet të ndodh e ka thënë sot edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ajo tha se institucionet e Republikës janë në diskutime për të gjetur zgjidhje për një mekanizëm që do të mbikëqyrte punën e Dhomave të Specializuara në Hagë.

    “Pas vizitës që ka pasur kryetari i Kuvendit, pas vizitës që kam pasur edhe unë në Hagë tani kjo çështje është në kuadër të diskutimeve institucionale dhe ende nuk mund të them se cila është zgjidhja për këtë. Ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedentë që një institucion siç është Gjykata Speciale nuk ka asnjë mekanizëm që e mbikëqyrë punën”, tha Haxhiu shkruan Gazeta Insajderi.

    “Është e papranueshme që një deklaratë e kryetarit të Kuvendit është keqkuptuar sepse kryetari i Kuvendit asnjëherë nuk ka thënë që këtë kontroll duhet ta bëjë qeveria apo Kuvendi i Kosovës mirëpo një mekanizëm në të cilin ka besim qytetari i Republikës së Kosovës, një mekanizëm që konsiderohet se ka kredibilitet për ta bërë një gjë të tillë, prandaj sapo të dakordohemi për këtë natyrisht që do t’ju njoftojmë”, tha tutje Haxhiu.

    Lexo edhe:

    Lufta “speciale” e Gërvallës kundër krerëve të UÇK-së

    Një deklaratë e Donika Gërvallës, ministres së Punëve të Jashtme, ishte bërë virale në maj të vitit të kaluar.

    Ajo kishte thënë se asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. 

    “Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit”, ka deklaruar ajo, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tutje, Gërvalla thotë se vetëm me punë mund t’ia kthejnë Kosovës faqen e bardhë.

    “Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”, shtoi tutje ajo.

    Ky reagim i ministres kishte ardhur pasi në media ishin kthyer disa deklarata të mëparshme të saj për Specialen, ku kishte thënë se do të bashkëpunonte me Speciale për krimet në Kosovë.

    Në vitin 2016, Gërvalla kishte thënë se posedon fakte të shkruara të cilat tash sipas saj i kishte deponuar në disa Gjykata, ndërsa të njëjtat pati thënë se “do t’i bëjë edhe kur të nis së funksionuari edhe Gjykata Speciale”.

    Pesë vjet më vonë, kur u bë ministre e Jashtme, ajo ishte pyetur nëse është dëshmitare e Gjykatës Speciale.

    “Jo, as nuk kam qenë as nuk jam. Mendoj që është përgjigja e mjaftueshme”, pati thënë Gërvalla.

    Në një rast tjetër, derisa po fliste për Gjykatën Speciale, ministrja pati theksuar se e vërteta është e mirë, dhe se kjo gjykatë nuk është instaluar nga Serbia.

    “Gjykata Speciale nuk është instaluar ngas Serbia, është instaluar nga ju[v.j. PDK-ja]. Sepse ju jo vetëm që nuk keni luftuar por nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës, por jeni munduar ta evitoni këtë dhe e keni bërë të mundur krijimin e Gjykatës Speciale dhe e keni votuar”.

    “Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, dhe tani jeni në nevojë për të sqaruar se përse e keni bërë një gjë të tillë. Ju jeni pikërisht përgjegjës që prirësit tuaj sot ndodhën në Hagë, duke mohuar të vërtetën nuk do të gjeni zgjidhje”, pati thënë Gërvalla, shkruan Gazeta Insajderi.

    Derisa, shefi i Gërvallës, dhe i Qeverisë, Albin Kurti, ndonëse asnjëherë nuk ka qenë në vizitë tek krerët e luftës në Hagë, pati thënë se “Gjykata Speciale është e imponuar nga jashtë dhe është gjykatë një etnike. Ne dëshirojmë të kemi gjykata normale në Kosovë e jo gjykata speciale jashtë Kosovës”.

    Ai pati theksuar se “UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër”.

    “Nëse ka pretendime nga ndërkombëtarët për individë të UÇK-së do të kemi një sistem të ri të reformuar të drejtësisë që do t’i trajtoj me prioritet dhe seriozitet të gjitha ato raste”, tha Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për çka akuzohen Thaçi, dhe të tjerët?

    Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020.

    Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

    Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, shkruan Gazeta Insajderi.

    Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

    Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

    Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

    Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

    Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

    Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

    Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

    Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

    Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.

    Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

    Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

    Ndryshe, i akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

    Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark