×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Si u mobilizua “vëllai i Vuçiqit” për të mbrojtur vlerat e UÇK-së?

    Insajderi
    20 July 2022 - 12:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka humbur muaj të tërë të këtij viti duke bërë politika që janë në kundërshtim me veprimet e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.

    Herë ka krijuar rritim tek kosovarët, dhe herë të tjera ka fituar simpatinë e tyre.

    Dy veprime të tij janë më të bujshmet këtë vit: Ballkani i Hapur dhe “Mbrojtja e vlerave të UÇK-së”.

    Për shkak të shtyrjes përpara të Ballkanit të Hapur kosovarët e kanë pagëzuar me nofkën “Vëllai i Vuçiqit”.

    Këtë duket se e ka përjetuar rënde Rama. E ka përmendur edhe në një konference shtypi.

    “Për të ardhur te proserbizmi im, unë jam më shumë se kaq. Unë jam vëllai i Vuçiçit, ju e dini këtë dhe e keni bërë status timin që unë jam vëllai i tij, por përtej kësaj dua të them që këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin sot. Ne na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha mundësitë që e integrojnë këtë pjesë të Evropës, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror”, pati thënë Rama ndër të tjera, shkuan Gazeta Insajderi.

    Por, Rama tash ka ndryshuar takt, dhe duket se po punon për t’ia hequr vetes këtë nofkë. Ka rënë në një ide që fiton zemrat e kosovarëve, dhe në të njëjtën kohë godet Albin Kurtin, pushteti i të cilit është emëruar nga kritikët si “Qeveri anti-UÇK”.

    “Open Balkan”, Edi Rama dhe Kosova

    Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia takimin e fundit të “Ballkanit të Hapur” e patën më 7 dhe 8 qershor në Ohër, ku nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.

    Liderë e këtyre shteteve ishin tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, ide kjo që e kishin konceptuar në vitin 2019.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kishin nisur kërë proces me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërkohë që nga fillimi deri tash kundërshtues i fuqishëm i kësaj ide ka qenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

    Këtë ai e bëri të ditur edhe në qershor, kur u ftua për takimin e radhës nga kryeministri i tanishëm i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.

    Kurti e kishte njofuar homologun e tij se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

    Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

    Ndërkohë, Rama është përkrahës i madh i këtij procesi, gjë për të cilën shpesh është “masakruar” në rrjet nga kosovarët.

    Pavarësisht se i ka bërë për komentet, ai nuk është ndalur së ftuari Kosovën që të pjesë e “Open Balkan”, njëjtë sië bëri edhe herën e fundit në Maqedoni.

    “Besoj fort se sa më shumë ne të afrohemi aq më shumë shanse ka për ti’ zgjidhur edhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqe përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës. Një temë në të cilën unë nuk kam asnjë dakordësi me presidentin e Serbisë por këtu zgjidhja është shumë e thjeshtë, ose kjo mosdakordësi të kthehet në një konflikt permanent me të gjitha ato boshllëqe që pastaj të mbeten në ekonominë tonë, në sigurinë tonë e kështu me radhë ose e kundërta duhet të bëhet, të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vet njerëzit të jenë të vetëdijshëm që e ardhshmja është shumë me rëndësishme sesa e shkuara”, pati thënë Rama, shkruan Gazeta Insajderi.

    Rama ka thënë se ndodhen në nismën “Ballkani i Hapur” sepse duan të shkojnë drejt së ardhmes, por pa i mbyllur sytë ndaj problemeve që sipas tij mund të zgjidhen vetëm duke u afruar.

    “Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt së ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura për të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi”.

    “Po i kthehem prapë ambasadorit Chris Hill i cili më tha diçka që nuk e kisha menduar asnjëherë, shumë thjeshtë, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe nga miqësitë më të ngushta sot, dhe jo sot por prej shumë vitesh, në arenën ndërkombëtare është aleanca dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara me Japoninë, mbas dy bombave atomike dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të vazhdonte sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga Shtetet e Bashkuara duke kërkuar më parë që Shtetet e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike, të gjitha gjërat kanë radhët e tyre”, pati thënë kryeministri shqiptar.

    Rezoluta e Edi Ramës për Dick Martyn, Gjykata Speciale, dhe Hashim Thaçi

    11 vjet pas hartimit të raportit të Dick Marty me pretendimet se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit, Partia Socialiste ka depozituar një rezolutë kundër këtij raporti.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Edi Rama, i cili ka thënë se Partia Socialiste me firmën e 11 deputetëve ka depozituar një Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë kundër raportit të Dick Martyt mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Pritet të shihet nëse e njëjta do të miratohet, dhe më pas t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës të cilit i kërkohet që ta rishikojë rezolutën e vitit 2011 prej së cilës u inicua gjykimi për ish-krerët e UÇK-së.

    E thënë më thjesht, kryeministri shqiptar kërkon ndërprerje të gjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimi e të tjerët që janë në Hagë.

    Ndonëse ka pak gjasa që Gjykata Speciale të ndalë së funksionuari pas miratimit të kësaj projekt-rezolute, lëvizja e Ramës ngjan të jetë më shumë ide me të cilën i fiton zemrat e kosovarëve, dhe në të njëjtën kohë godet Albin Kurtin, pushteti i të cilit është emëruar nga kritikët si “Qeveri anti-UÇK”.

    Dhe, kështu ai në një form ose tjetër “pastron” figurën e tij nga qasja e “vëllait të Vuçiqit”, duke u shfaqur tash si një atdhetar i paepur dhe baba i kombit që merr përsipër të çlirojë nga akuzat ish-krerët e UÇK.

    Lexo edhe:

    Për këtë çështje Rama foli edhe dje në Këshillin e Europës, në ditën kur nisën negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE, derisa tha se “kjo është një faqe turpi për Këshillin e Evropës që duhet të gjejë kurajën dhe të kërkojë falje.

    “…Por e di që një histori fatkeqësisht jo e mirë e trafikimit të organeve u nis nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër dhe nga zëdhënës rus. Çfarë thash dhe mund të them është se duke parë akuzat nuk ka asnjë fakt, qoftë edhe dyshime për trafikime të organeve. Siç e vutë re kjo Gjykata e Hagës është krijuar në bazë vetëm të këtij raporti, edhe pse ka qenë ky raport me plot gjepura që e ka sjellë në jetë Gjykatën Speciale”, tha Rama, shkran Gazeta Insajderi.

    Kryeministri shqiptar theksoi më tej se janë bërë hetime të pavarura në Shqipëri dhe Kosovë dhe të pavarura në çfarëdo lloj ndikimi, e që nuk është sjell asgjë.

    “…Zero absolute përqindje e trafikimit të organeve njerëzore. Çfarë ne kërkojmë është që t’i themi botës se ishte një maskaradë. Dhe kjo maskaradë ndaj një shteti të pavarur hedhur ndaj një shtetit të pavarur siç është Kosova dhe luftës çlirimtare.

    Nuk ka asnjë provë të kushedi sa hetimeve se ka pasur trafikime të organeve njerëzore të pavarura të organizuara nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka qenë në fakt viktimë e një sulmi të organizuar në të gjithë botën. Askush nuk duhet të përpiqet të pështjelloj në ndonjë mënyrë tjetër.

    Kjo ka të bëjë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës dhe Këshilli i Evropës duhet të gjej kurajën dhe të dal përball dhe të thotë na falni…”, u shpreh Rama.

    Ai tha më tej se është e pamundur të akuzosh një komb të tërë i çliruar nga një përpjekje kaq e madhe e koalicionit të shteteve demokratike dhe falë një ushtrie çlirimtare kundër një makinerie të spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit dhe krejt papritur të hidhet kështu në thellësitë më të mëdha të mediave dhe plehrave gazetareske…

    Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm me median, por edhe me raportin, e edhe me raportin e atyre që kanë mbështetur Këshillin e Evropës dhe kjo nuk duhet të ndodhë më.

    “Shqipëria është shumë e vogël të ndryshojë fatin e vendimmarrje në nivel të lartë por nuk ka për t’u dorëzuar asnjëherë përkundrejt idesë se jemi të vegjël dhe mund të trajtohemi të tillë. Kjo i përket të kaluarës”, u shpreh ndër të tjera, Rama.

    Lexo edhe:

    Për çka akuzohen Thaçi, dhe të tjerët?

    Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

    Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

    Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, shkruan Gazeta Insajderi.

    Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

    Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

    Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

    Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

    Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

    Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

    Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

    Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

    Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.

    Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

    Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

    Ndryshe, i akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

    Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark