Ne marshojmë, Ata dhunojnë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Ne marshojmë, Ata dhunojnë

    Insajderi
    19 May 2021 - 18:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nëse Policia nuk e sheh të nevojshme që në këto 10 vite të mësohet sesi ta trajtoj dhunën ndaj grave, nëse gjykatat vazhdojnë t’i dënojnë fare pak apo t;i falin dhunuesit, nëse shumica e shoqërisë ende e fajëson viktimën dhe e arsyeton dhunuesin dhe ne vetëm marshojnë e protestojmë me disa piskama në sheshe, as Policia, as Gjykata e as mentaliteti nuk do të ndryshojnë. Të gjithë së bashku do të vazhdojnë marshin e dhunës duke lënë prapa me qindra viktima, ndërsa ne do të marshojmë sërish duke lënë prapa pankarta nëpër sheshe.

    Vullnet Krasniqi

    I ka nja dy vite që nuk kam marrë pjesë në asnjë marsh protestues kundër një fenomeni që po përhapet sikur kanceri ma i randë, në shoqërinë kosovare. Natyrisht, jo pse ma nuk ndjej nevojën për të dalë e për të protestu, por sepse ndjenja që e kam pas atyre protestave është ma e rand sesa frustrimi ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave e çikave, nga ana e burrave e djemve shqiptar. 

    Në shumë marshime që kam marrë pjesë, gjithmonë bashkë me trupin tim dhe dhjetra, e rrallë qindra trupa të tjerë, ecnin edhe mendimet kundër trupit. Asnjëherë nuk e kam kuptuar “marren” e protestueve në Kosovë për të bërtitur me zë, për t’u nervozuar e mbi të gjitha për të rezistuar. Mesatarja e kohëzgjatjes së këtyrë marsheve e protestave, ishte zakonisht 1 orë. Sa një pauzë pune. Grumbullim në një pikë, takim me protestuesit të cilët shumicën i njoh personalisht, ecje nëpër shesh deri para një objekti shtetëror, dy-tre persona “organizatorë” lexojnë diçka që të gjithë e dinim, dhe më pas shpërndarja. Grupe të ndryshme, shpërndaheshin në kafiqa specifik, flisnim sesa keq është situata, një kafe dhe sërish në punë. Në mbrëmje e shef vetën në disa pamje televizive të storjeve të televizioneve e portaleve, dhe dy-tre citate nga pjesmarrësit. Krejt kjo përfshihet në një storje 1 deri 2 minuta, që pasohet me ndonjë debat aty-këtu, rrallë nga ndonjë televizion për “fenomenimin e dhunues gjinore në Kosovë. Në debate janë fytyra të njejta: aktivistët që kanë të drejtë çka flasin por vetëm aq, kanë thjesht të drejtë, por drejtësia për dhunuesit dhe viktimat mungon. 

    Pyetja që gjithmonë ia parashtroja vetës ishte: kujt po i lexojmë fjalime në sheshe? Kujt po i flasim në televizione, sado rrallë që flitet? Kush po i dëgjon “pankatrat” tona? Askush. 

    Janë bërë më shumë se 10 vite, që kur publikisht me “projekte ndërkombëtare” Policia e Kosovës na flet për një emancipim të Policisë në raport me “trajtimin e rasteve të dhunës në familje” sesi kanë krijuar task forca, sesi kanë krijuar linja të reja, policë e police të reja, por Policia e Kosovës ende vazhdon të mos i përgjigjet thirrjeve të grave të dhunuara. Si pasojë vijnë lajmet për vrasjen e grave e dhunimin e tyre. 

    Nëse deri para 5 vitesh, vrasjet dhe dhuna seksuale ndaj grave e çikave, po flas për dhunën e lajmëruar, sepse ka shumë e shumë raste që nuk lajmërohen, vinin nga skuta të errëta të mentalitetit ose kriminalitetit, tashmë dhuna është bërë rutinë e ditëve. Hapësira ku ndodhin dhunimet e ngacmimet seksuale janë shkollat, kompanitë private, objektet fetare e madje edhe ato institucionale. Tashmë dhuna është bërë një standart jetese, që nuk ka nevojë as të fshehet. Si ka mundësi që dhunuesit, ngacmuesit dhe vrasësit e grave e çikave në Kosovë, të mos e kenë as një troh frike, se sa për ndërgjegje s’kemi çka flasim me ta?

    Përgjigja nuk do shumë mend. Dhunuesit vazhdojnë të dhunojnë gjithandej sepse ata nuk dënohen. Gjykatat e Kosovës ka vite që e kanë vendosur “luftën” kundër dhunuesve dhe varasësve në rendin e parë të prioritetit, por kjo është vetëm në letër. Në disa letra që quhen udhëzime pune, plane veprimi apo ligje. Të shkruara qartë, me dënime të qarta, me qasje mos falëse ndaj tyre, por dhunuesit në Kosovë, vazhdimisht janë lënë të lirë. 

    Ngacmuesit, dhunuesit dhe vrasësit e grave në Kosovë janë të lirë dyfish. Në dy rrafshe: atë shtetëror dhe shoqërorë. 

    Shteti i cili ka zgjedhur Policë, Prokuror e Gjyqtarë seksistë, në shumë raste vet dhunues e ngacmues, janë armata që ia sigurojnë lirinë shtetërore dhunuesve. Policët të cilët nuk iu shkojnë tek dera, sapo viktimat të lajmërojnë, duke i marrë në pyetje më shumë viktimat sesa dhunuesit, e bëjnë hapin e parë. Prokurori që shkon gjithashtu me vonesë në ekzaminim, dështon herë pa dashje e herë me dashje të krijojë një aktakuzë të fuqishme që do të faktonte kryerësin e dhunës, i japin shanse gjyqtarëve, disa të korruptuar me para e disa të korruptuar me mendjen patriarkale që arsyeton burrin vrasës. Avokatët të cilët zakonisht paguhen mirë nga dhunuesit të cilëve u ka rënë “fati” që të lajmërohen, dhe pa i shikuar hiq statistikat, gjendja është lehtë e përshkrueshme: dhunuesit lihen të lirë. Pa prova kundër tyre. 

    Kur provat mungojnë, dhe dhunuesit fitojnë lirinë nga shteti, atëherë ata fitojnë shumë lehtë, lirinë nga shoqëria. Nga një shoqëri e cila refuzon të ballafaqohet me një fenomen kaq bizar dhe shpellar, që nuk i ndan njerëzit në viktima dhe dhunues, por në burra dhe gra. Në burra që kanë të drejtë edhe të huqin duke vrarë gra, dhe në gra të cilat dhunohen edhe një herë, me komente e fyerje të tipit “e paska lyp”.

    Një shoqëri që e përdorë fjalinë “e paska lyp” për viktimën, sidomos gruan a çikën ajo është shoqëri vrasëse dhe secili nga ne që mund ta konsiderojmë vetën, si rasti tjetër. Ai rasti tjetër, kur Policia bon hajgare me ty si viktimë raportuese, që të jep këshilla që t’i kthehesh dhunuesit edhe për një shans tjetër, që më pas të harron se je e obliguar ta ndashë shtëpinë me dhunuesin, dhe pas disa kohësh, vijnë si tërheqës kufomash.

    Këtë parajasë që ua kemi krijuar dhunuesve të cilët lajmërohen nga viktimat, e kanë shndërruar në ferr për gratë dhe çikat tona, ata klasa tjetër e dhunuesve që gëzojnë privilegjin e të qenit anonim pasi viktimat nuk kanë asnjë shans, asnjë ndihmë për t’i raportuar për veprimet e burrave ngacmues apo dhunues. Shumë më shpesh, vrasës.

    Tashmë brenda javës ne shohim dhunë seksuale në oborr të shkollës mes fëmijëve, hoxhallarë që dhunojnë seksualisht, besimin e vajzave e grave. Apo grupe burrash që dhunojnë vajza të mitura. Ngacmimet ndodhin nëpër sheshe e nëpër vende pune. Dhunimet ndodhin nëpër shtëpi të braktisura periferive të pasigurta, sikur me qenë favela në Rio. Në apartamente midis qyteti, nëpër party, after party, pazar, tu prit në rend në furra, ka ngacmime, tentime dhunimi e rrahje. Trauma jonë më e madhe kolektive është është fakti që jemi detyruar të shohim dhunë dhe mbi të gjitha duke u gjendur mes njerëzve të tjerë që nuk reagojne kur dhuna ju ndodhë para syve. Trauma qysh rrijmë indiferentë ndaj dhunës tek kojshia ose të afërmve. Asht absurde me vazhdu me leju me ndodhë kjo mënyrë jetese, dhunë sistematike.

    Dhe pas gjithë këtyre, ne marshojmë. Si një copy mechanism organizëm, një grup organizatorësh, mblidhen një natë para “protestës apo marshit”, i shkruajën disa parulla në pankarta, të cilat të nesërmen i mbajnë sërish po ata, dhe po ata në fund i lëjnë nëpër sheshe. Profesionistët e marsheve dhe protestave pa asnjë kërkesë, janë më të kujdeshshëm: ata i ruajnë pankartat për rastet tjera. 

    Ruhen për herën tjetër, sepse të gjithë marshuesit e dijnë se shumë shpejt do të ketë një herë tjetër: ku ngacmimet, dhunimet e vrasjet përsëriten në skenare të njejta. Edhe skenari jonë, gjithashtu.

    Por në asnjë këto marshe e protesta, asnjë zyrtar i shtetit nuk del t’i dëgjojë ato fjalimet që lexohen përmes disa megafonave me volum të “pordhur”. Grupi i pankartave takim me ministren, tjerët shpërndahen. Kur ne marshojmë drejt Stacionit Policor aty na presin Policët si kordon mbrojtës, por jo dëgjues. Policia, pos “thirrjeve të munguara” përfshihet vazhdimisht në skandale dhune. Dhunim, i incizuar, me qëllim denigrimin. Forma ma brutale e keqpërdorimit të pushtetit kundër qytetarit. Kur ne marshojmë tek Qeveria, aty na presin rojet tek grilat dhe punëtorët qeveritarë që hyjnë e dalin nga objekti, duke kaluar përmes masës. Disa të tjerë e presin deri sa masa të shpërndahet. Kësisoj ne e kemi pranuar rrethin vicioz të dhunës sistematike, pasi kemi pranuar këtë formë të komunikimit me shtetin dhe akterët e tij. Ata na lejojnë neve të marshojmë. Ne i lejojmë ata të na injorojnë. Dhunuesit. Dhunojnë. Ne sërish marshojmë.

    Nëse vërtet duam që të kemi sukses që një herë e mirë, ti bëjmë institucionet tona që të merren seriozisht me thirrjet tona, ne duhet t’ua pengojmë rehatinë atyre. Nuk mund të presësh reagim ose ndryshime në Polcinë e Kosovës, nëse me protestën tënde nuk merret drejtori i Policisë dhe ministri i Punëve të Brendshme. Kur protesta jonë menaxhohet nga 10-15 policë praktikantë. Por si merr vesh drejtori e minsitri? Nëse atyre u pamundësohet të merren me rutinën e tyre. Si arrihet kjo? Përmes veprimeve radikale, të cilat skanë nevojë me u caktu parapakisht, por duhet të jenë formë e gjithhershme e secilit aktivitet marshues e protestues. 

    Në rastin e protestës për sigurinë e vajzave në shkolla, ministrja, drejtoritë komunuale apo njerëzit e drejtësisë nuk ju kanë dëgjuar e as që janë marrë me protestën e kërkesa tuaja, pasi ato ua keni thënë prej oborri. Sikur të ishte një serenatë që i këndohet dikujt që dashuroni. Nëse askush nuk del në ballkon ose poshtë te hymja, atëherë shenja është e qartë: nuk ka asgjë prej asaj lidhje. 

    As në lidhjen tonë me shtetin nuk ka asgjë. Kërkesat tona nuk mbërrijnë tek zyret e shtetit, dhe kësisoj frustrimi ynë derdhet në rrjete sociale. Frustrimin tonë ndaj shtetit duhet ta zbrazim tek shteti. Në rastin e protestës së fundit, ministria e Arsimit do të duhej ta përjetonte ndonjë evakuim emergjent si pasojë e hyrjes me dhunë të protestuesve në ambientet e ministrisë, aty ku burokracia i jep dhe i zgjatë jetë dhunës. Ne duhet ta ndalojmë marshin e protestave paqësore dhe të sigurohemi se “paqja” të cilën po e kërkojmë, dhunuesit me dënime maksimale, viktimat e mbrojtura dhe shoqëri e emancipuar, arrihet vetëm përmes një forme: t’u tregojmë sa serioze është situata.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark