×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Në raportet e tij për luftën, ish-diplomati amerikan kishte thënë se besonin që UÇK-ja ishte organizatë me dy krerë

    Insajderi
    25 March 2024 - 13:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmitari Shaun Burns, në raportet e tij gjatë punës në Kosovë në kohën e luftës, kishte shkruar se besonin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte organizatë me dy krerë dhe që kishte konflikt për kontroll.

    Këto raporte, për të cilat dëshmitari pohoi se i ka shkruar ai, u lexuan gjatë kundërpyetjeve të avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Po fillojmë me paragrafin e parë nga mesi ku thuhet; ndërkohë që ne përpiqemi të jemi të plotë, ky raport është thjesht sipas perceptimeve, ndjesive. Ne akoma dimë pak për UÇK-në, udhëheqësit e të cilëve mbajnë sekret strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së”, tha fillimisht Mishetiq, gjatë leximit të disa pjesëve të raportit.

    Tutje, Mishetiq lexoi raportin ku thuhej se nuk kishte ndonjë udhëheqës të UÇK-së atë kohë, mirëpo si udhëheqës i referoheshin edhe Thaçit.

    “Ju thoni: Ne besojmë që UÇK-ja është në fakt një organizatë me dy krerë, e cila po përpiqet të jetë një forcë efektive dhe e disiplinuar, ndërkohë që në të njëjtën kohë po ka konflikt për kontrollin dhe kush të ketë më shumë ndikim dhe influencë tek lidershipi kosovar dhe ndërmjet këtyre të fundit, udhëheqjes së Kosovës dhe burimeve të financimit në Evropë. Nuk ka dalë ende asnjë udhëheqës i UÇK-së edhe pse drejtor politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, profili i tij për kryesues dhe në takimet tona, udhëheqësit ushtarak të UÇK-së qartazi i referohen Thaçit”, citoi avokati.

    Dëshmitari pohoi se në vitin 1998 dinte shumë pak për strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së.

    Përpara se të fillojë me kundërpyetje Mishetiq, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e viktimave, avokati Simon Laws, në sesion privat për publikun.

    Ndonëse u kundërshtua nga Mishetiq, trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së viktimave për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark