Epidemiologu dhe anëtar i Shtabit të Krizave të Serbisë, Predrag Kon, ka deklarur se situata epidemiologjike në Serbi vazhdon të përkeqësohet dhe se numri i rasteve dhe vdekjeve të reja tregon se virusi është akoma në rritje dhe se aktiviteti i tij është i lartë.
Ai deklaroi se ka rritje të rasteve të reja të infeksionit në Beograd dhe se 2.197 raste të reja të infeksionit që u konfirmuan të enjten, do të thotë që virusi përsëri ka arritur maksimumin e tij.
“Ne kemi një situatë që nuk ka ndryshuar dhe e cila vazhdon të përkeqësohet”, ka thënë Kon, raporton Tanjug.
Ai shtoi se rezultatet e masave, të cilat hynë në fuqi të martën dhe ato nga e marta e kaluar, mund të priten gjatë dy javëve të ardhshme.
“Aktiviteti i virusit pritet të ngadalësohet, por numrat janë shumë të lartë, kështu që presioni do të jetë i madh. Rreth mesit të dhjetorit, mund të pritet një përmirësim i numrave”, ka pretenduar Kon.
Ai shtoi se rreth 30 përqind e të infektuarve janë në Beograd dhe se rreth 300 deri 350 pacientë duhet të shtrohen në spital çdo ditë, gjë që, thekson ai, është një presion i madh mbi sistemin shëndetësor.
“Si pasojë, vdekjet vijnë më vonë. Ky numër i vdekjeve është pasojë e ngjarjeve të dy deri në tre javëve të kaluara. Kjo është koha që duhet për t’u zhvilluar dhe të çojë në një rezultat fatal. Numri i vdekjeve nuk është tregues i situatës së tanishme, por i asaj që ndodhi më parë”, ka shpjeguar Kon./Insajderi.org.