Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me zyrtarë të tjerë të PDK-së kanë vizituar sot në tre vjetorin e shkuarjes në Hagë, familjet e ish-krerëve të UÇK-së,.
Kreu i PDK-së ka shkruar në faqen e tij në Facebook se heronjtë janë më shumë se individë – pa çka se bartin emra të përveçëm.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre, simbolizojnë forcën, kurajon dhe frymëzimin i cili ka përbashkuar një popull. Pavarësisht nga muret dhe kufizimet, shembulli dhe emri i tyre në mënyrë të pashmangshme i tejkalon ato dhe shkëlqen mbi Kosovë, duke ndriçuar rrugën për brezat që do të vijnë”, shkroi Krasniqi.
Ai tha se sot, është obligimi ynë që ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën e tyre për shtetndërtim e fuqizim të kombit tonë.
“Këtë ua thash edhe familjarëve gjatë vizitave të sotme te ta. Tre vjet kaluan, e mund të kalojë edhe ndonjë tjetër, mirëpo një gjë është e sigurt: Dielli do të lind përsëri!”, tha Krasniqi.