Një kompani e panjohur në fushën e tendereve publike në Kosovë, ka marrë duke negociuar brenda më pak se nëntë muajsh dy tendere të mëdha. Kryeshefi i Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, e shpërbleu kompaninë “INT Class Marketing”, fillimisht me një kontratë vlera e të cilës parashihet të ishte 150 mijë euro dhe kontratën e dytë që e lidhi së fundmi me vlerën e parashikuar prej 750 mijë euro. Kompania do të duhet të kryej shërbime për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.
Liridon Restelica, kryeshefi i Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, del të ketë negociuar jo një por dy tendere të mëdha për nga vlera rreth “Shërbimeve të menaxhimit të parkingjeve”. Ka zgjedhur që të dy tenderet t`ia jap të njëjtës kompani, që del te jetë e panjohur për publikun.
Madje ajo është themeluar vetëm 18 muaj më parë.
Gazeta Insajderi, ka gjetur se fillimisht në tetor të vitit të kaluar, kishte nisur procedura e negociatave mes “Parking Prishtina” dhe kompanisë “INT Class Marketing”.
Të njëjtës iu besua në muajin tetor, tenderi që parashihej të arrinte vlerën 150 mijë euro. Kompania ishte e obliguar që sipas marrëveshjes të kryente shërbimin me softuer për menaxhimin e parkingjeve publike në Komunëm e Prishtinës.
Kjo kontratë që sipas njoftimit, është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, do të zgjaste plot 36 muaj.
E njëjta është nënshkarua me 14 tetor, shkruan Gazeta Insajderi.
Tetë muaj pas kontratës së parë, e cila do të zgjeste 36 muaj, “Parking Prishtina”, lidhi kontratën e dytë të negociuar për të njëjtën punë me kompaninë “INT Class Marketing”.
Njoftimi për nënshkrimin e tenderit të negociuar është bërë më 27 korrik 2022. Edhe Përshkrimi i tenderit është i njëjtë.
“INT Class Marketing”, do të kryente “shërbim me softuer për menaxhimin me parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës”.
Veç se kësaj here, vlera e parashikuar për kontratë kishte shumën më të madhe. Peshonte 750 mijë euro.
Kontrata e ndërmarrjes publike që menaxhohet nga komuna e Prishtinës, do të zgjas 36 muaj që nga nënshkrimi i saj, shkruan Gazeta Insajderi.
Reagime të ashpra erdhën pasi u publikua njoftimi për këtë tender.
Nënkryetarja e Prishtinës nga PDK, Donjeta Sahatçiu ka thënë se kontrata në vlerë prej 750 mijë eurove ka shumë pikëpyetje.
Ajo ka thënë se ka kërkuar informata nga kryeshefi për konstatim përfundimtar dhe se përderisa është në kryeqytet si nënkryetare nuk do të ketë tolerancë ndaj keq-qeverisjes.
“Shumë pikëpytje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës. Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë, është qesharak. Nëse është dikush në Kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer – jam unë. Dhe unë, jam edhe Nënkryetare e Kryeqytetit nga PDK.”, shkroi ajo.
Kurse opozita ftoi prokurorinë pë ta hetuar tenderin.
Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka denoncuar kontratën e negociuar të “Prishtina Parking”.
“Po vazhdon shpërdorimi dhe keqmenaxhimi i pasurisë publike në Prishtinë. 750.000€ janë shpenzuar nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” për një aplikacion që sipas çmimeve të tregut thuhet se e ka vlerën shumëfish më të ulët”, ka shkruar Sveçla në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Asamblisti i VV-së ka kërkuar që të bëhet hetim ndaj kësaj kontrate të dyshimtë.
“I bëjmë thirrje personave përgjegjës të Komunës së Prishtinës të ftojnë organet kompetente, Krimet Ekonomike, për ta hetuar këtë kontratë të dyshimtë”, shtoi ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Por kush është njeriu që negocio kontratat e majme me kompaninë e panjohur?
Liridon Restelica që tash është kryeshef i “Prishtina Prking”, ka qenë edhe asamblesit i Partisë Demokratike të Kosovës, në komunën e Prishtinës.
Gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e këshilltarit komunal, përgjatë vitit 2013, ai ka qenë edhe zv.kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike Trainkos.
Ai kishte deklaruar atë kohë në Agjencinë Kundër Korrupsionit se merr pagë vjetore prej 14 mijë e 400 euro nga Hekurudha, dhe 3 mijë euro nga punë e këshilltarit në kuvendin komunal të Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.
Për mbajtjen e dy pozitave njëkohësisht, Restecila ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Po ky institucion, më vonë e kishte dënuar Restelicën për mosdeklarim të pasurisë, kur e kishte marrë pozitën e këshilltar politik në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.
Ai ishte dënuar më 200 euro gjobë, kur në vitin 2013 nuk e kishte kryer obligimin që ia cakton Ligji për Deklarimin e Pasurisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Zhytja në afera brenda pesë muajve- Pazaret e ndërmarrjes së drejtuar nga ish-asamblisti i PDK’së
Brenda pesë muajve, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, është zhytur në dy afera të ndryshme. Të dy pazaret e kësaj ndërmarrje, janë drejtuar nga ish-asamblisti i PDK-së, Liridon Restelica, i cili aktualisht mbanë pozitën e kryeshefit të “Prishtina Parking”.
Kjo ndërmarrje kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës. Kjo ngjarje kishte ndodhur në muajin maj ku dhe ishte anuluar nga Komuna e Prishtinës.
Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. kishte përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ndërmarrja ka përzgjedhur fituesin e tenderit pas negocimit me vetëm një kompani, “Besa Security”. Por më pas ishte anuluar ky tender.
Tenderi 1.5 milionë euro që u bë ndërmjet Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” dhe kompanisë së sigurimit “Besa Security” ishte anuluar më 19 maj. Ani pse ishte dhënë kundërligjshëm, arsyetimi i komunës për anulimin e kontratës milionësh nuk kishte të bënte fare me pazarin që kishin bërë “Prishtina-Parking” dhe “Besa Security”.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ky tender anulohet pasi kompania e sigurimit “Besa Security” nuk kishte sjellur Sigurimin e Ekzekutimit me kohë.
“Ky aktivitet i prokurimit Anulohet në bazë të dispoziatave te LPP-se, për shkak qe Operatori Ekonomik që i është dhënë tenderi nuk ka sjellë Sigurimin e Ekzekutimit me kohë. Kërkesa për të sjellë sigurimin e ekzekutimit është bërë përmes email me datën 05.05.2022 ku u është lënë afati deri me 10.05.2022. Ndërsa Operatori Ekonomik është përgjigjur përmes emailit me datën 16.05.2022 me kërkesë qe ky afat te shtyhet deri ne fund te muajit Maj”
“Andaj duke pas parasysh që vonesat në këtë rast e dëmtojnë interesin dhe paranë publike dhe shto shkakun që AK është detyruar të fillojë me procedurë më të shpejtë, andaj për shkak të vonesës se OE në dorëzimin e Sigurimit te Ekzekutimit, ne kemi vendosur ta anulojmë këtë tender për të mos pasur vonesa më të mëdha”, thuhet në njoftim.
Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. ka përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik, shkruan Insajderi.
Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit.
Projekti parashihte identifikimin e shkeljeve tjera të trafikut në udhëkryqet kryesore të Prishtinës dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave dhe trafikut në përgjithësi. /Gazeta Insajderi
Lexo më shumë rreth skandaleve të Ndërmarrjes Parking Prishtina