Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se çështja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, i takon vetëm opozitës.
Sipas Hazirit, kanë qenë pikërisht deputetët e opozitës ata të cilët ia kanë mbushur mendjen atyre që kanë nënshkruar për mocionin.
Haziri ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës i beson lidershipit të PDK-së dhe se kjo e fundit nuk do ta prish marrëveshjen e koalicionit, shkruan Blic.
“Është çështje e opozitës dhe veprimet e tyre që kanë bindur disa deputet të PDK-së, Listës Serbe dhe minoritetet tjera… Ne besojmë që lidershipi i PDK-së i përmbahet marrëveshjes së koalicionit pika 14 thotë: Asnjëra palë nuk inicon apo përkrah mocione mosbesimi ndaj Qeverisë”, tha ai.
E në anën tjetër deputetë të Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dorëzuar sot në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.
Mocioni me nënshkrimin e 42 deputetëve është dorëzuar nga Pal Lekaj i AAK-së, Aida Dërguti e VV-së dhe Enver Hoti i Nismës për Kosovën.