Nëntëmbëdhjetë kërkesa për komuna të reja, presin shqyrtimin dhe aprovimin e Qeverisë së Kosovës.
Mes kërkesave janë ato të komuniteteve pakicë. Goranët kanë kërkuar krijimin e Komunës së Gorës. Kroatët ndërkaq, atë të Janjevës, derisa boshnjakët kanë kërkuar që Vitomirica ta marrë statusin e Komunës.
Kërkesa e parë për t’u bërë komunë është bërë nga Zhegra në vitin 2006. E fundit ka dorëzuar kërkesë Kieva në 2014.
Në listën e kërkesave nuk është Prilluzha, që sipas opozitës pritet të krijohet si kompromis i votimit të Hashim Thaçit për president nga ana e Listës serbe.
Në Qeveri kanë thënë se krijimi i komunave nuk është fare në rend të ditës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi ka deklaruar se së pari duhet të bëhet një studim i fizibilitetit. Sipas tij, shumica e kërkesave do të hidhen poshtë për shkak se nuk mund të kenë qëndrueshmëri.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke bërë fizibilitetin e komunave aktuale, pastaj hyn në shqyrtimin e kërkesave të reja”, ka thënë Abrashi për gazetën online Insajderi.
Komunat e reja fillimisht duhet të votohen në Qeveri e pastaj në Kuvend me dy të tretat e votave, përfshirë dy të tretat e deputetëve të pakicës serbe.
Qeveria e kaluar e drejtuar nga presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi kishte marrë vendim që të krijoheshin disa komuna të reja. Gjonaj, Rogova dhe Zhegra janë votuar në Qeveri.
Qeveria aktuale thotë se ato nuk kanë qenë vendime, por nisma. Dhe si të tilla pritet të shqyrtohen në të ardhmen bashkë me kërkesat e komuniteteve.
Ndërkohë, me planin Ahtisaari janë krijuar komunat e Hanit të Elezit, Kllokotit, Mamushës, Junikut, Parteshit, Ranillugut dhe Graçanicës.
Së fundi është krijuar Komuna e Mitrovicës Veriore që udhëhiqet nga serbët. Ajo është themeluar pas bisedimeve në Bruksel në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Derisa Qeveria mohon se do të krijohet Komuna e Prilluzhës, opozita tashmë ka nisur protestat kundër saj. Në Vushtrri sot proteston opozita kundër krijimit të Prilluzhës, komunë.
“Pretendimet për krijimin e “komunës së Prilluzhës”, janë një sajim i radhës i tri partive opozitare, të cilat pas diskreditimit publik të kauzave të deritashme dhe metodave jodemokratike të përdorura në kuadër të tyre, po përpiqen që me trillime politike dhe duke mos kursyer mjetet e dhunës, të manipulojnë qytetarët me qëllim që të vijnë në pushtet”, ka thënë Qeveria në një komunikatë./Insajderi.com