×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nëse Islami është fe e dhunës, ashtu është edhe Krishterimi”

    Insajderi
    16 June 2016 - 08:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Asnjë fe nuk është natyrshëm e dhunshme dhe asnjë fe nuk është natyrshëm paqësore. Feja është çështje interpretimi dhe, shpesh, në këtë interpretim, e shohim të bukurën ose shëmtinë”, thuhet në një artikull të gazetës Foreign Policy.

    Këtë javë, bota është tronditur me sulmet vdekjeprurëse në Orlando të Shteteve të Bashkuara, ku Omar Mateen, shtetas amerikan me prejardhje nga Afganistani, ka vrarë 49 veta dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë.

    SHBA është në vit zgjedhor dhe kjo padyshim se nuk ka kaluar e paprekur nga kandidatët që pretendojnë postin e presidentit.

    Kandidati republikan, Donlad Trump, ka thënë se njerëzit nuk janë vrarë nga pushka, por nga Islami radikal.

    Sipas gazetës Foreign Policy, bota e Trumpit ka vetëm dy kuptime.

    “Në këtë botë, vetëm një fe mund të jetë e keqe dhe, kështu, Krishterimi është i mirë dhe Islami është i keq. Krishterimi është paqësor dhe Islami është i dhunshëm. Krishterimi është tolerant dhe Islami është jotolerant”, shkruan gazeta duke interpertuar botën e Trumpit.

    Foreign Policy thotë se kryqëzatat janë ende temë e madhe në botën myslimane dhe se është lehtë të harrohet kërdia që ato kanë bërë ndaj hebrenjve të Evropës.

    “Luftëtarët e kryqëzatave i kanë tubuar ata në sinagoga dhe u kanë vërë flakën ndërtesave. Ata kanë vrarë shumë hebrenj në emër të besimit të krishterë, saqë kjo mund të merret si goditja më e madhe demografike ndaj komunitetit hebre në Evropë, derisa nuk ka ndodhur Holokausti”, shkruan Foreign Policy.

    Në frymë të ngjashme shkruan edhe gazeta Foreign Affaris, e cila thotë se terrorizmi islamik nuk është një gjë e pandryshueshme.

    “Kërcënimi nga islamizmi i dhunshëm sunit ka qenë në thelb joekzistent deri në vitin 1979, kur Revolucioni Islamik dhe xhihadi afgan janë bërë simbole të pushtetit për Isamin politik”, shkruan Foreign Affairs.

    E njëjta kujton se “kur persona të armatosur sunitë (më 1979) kanë marrë Xhaminë e Madhe në Mekë dhe kanë kërkuar përmbysjen e monarkisë, Arabia Saudite ka derdhur para në organizata bamirëse islamke, shkolla dhe fondacione fetare për të forcuar kredencialet fetare të monarkisë”.

    Foreign Affairs thotë se radikalizmi atëherë ka nisur të lëshojë rrënjë dhe ideologjia tani është vështirë të mposhtet.

    Gazeta Wall Strret Journal shkruan se presidenti Barack Obama ka të drejtë kur thotë se miliona myslimanë janë patriotë dhe se botës i duhen myslimanë joradikalë për t’iu kundërvënë grupit militant Shteti Islamik.

    Por, Obama ka refuzuar të përdorë frazën “Islami radikal”. Kjo, sipas gazetës Wall Street Journal, nënkupton se presidenti është peng i korrektësisë politike.

    “Kur terroristët e frymëzuar nga Shteti Islamik vrasin amerikan në festa të Krishtlindjeve dhe klube nate, amerikanët nuk besojnë në kapacitetet e Obamës për t’i mbajtur ata të sigurt”, shkruan gazeta.

    “Kur janë të rrezikuara, qeniet njerëzore përqafojnë nganjëherë edhe politikat joliberale”, shkruan Wall Street Journal. /rel

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark