Përmes një postimi në Facebook, Deda thotë se nëse ka ndodhur kjo, që presidenti Hashim Thaçi i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës për ndalimin e trenit serb, atëherë kjo, përveç se është shkelje e Kushtetutës, është edhe “tentim-rrënim i demokracisë”.
“Kthimi prapa i trenit tregon vendosmëri shtetërore, më në fund. Kjo vendosmëri tash duhet të vazhdojë me krijimin e konsenzusit politik për qasje të re të gjithë Kosovës karshi Serbisë Nëse është e vërtetë që Thaçi i ka dhënë “urdhër” ministrit të brendshëm dhe drejtorit të policisë, derisa Isa Musafa ligjëronte, atëherë kemi shkelje të Kushtetutës. Dhe tentim-rrënim të demokracisë”, ka thënë Deda.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot se urdhrin për të ndalur trenin serb që parashihej të arrinte në Mitrovicë gjatë mbrëmjes së sotme, e ka dhënë presidenti Thaçi. /Insajderi.com