Nexhat Krasniqi, fiton edhe një betejë me pushtetin e ri në Ministrinë e Infrastrukturës. Një muaj pas largimit nga detyra e shefit të prokurimit në ministrinë që drejtohet nga Liburn Aliu, dhe transferimin e tij në krye të departamentit për komunikim me publikun, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i dha të drejtë në ankesën e tij. Ky Këshill të martën e 27 shtatorit, e ktheu Krasniqin prapë në pozitën e shefit të tenderëve. Konstatoi se vendimi i sekretarit të MI-së, duhet të shfuqizohet
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të martën ka marrë vendim për rikthimin në punë të Nexhat Krasniqit, në krye të zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu.
Në vendimin që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se aprovohet si e bazuar ankesa e Nexhat Krasniqit lidhur me vendimit për largimin e tij nga puna, si shef i prokurimit në këtë ministri dhe shfuqizimin e vendimit të datës 19 gusht.
“Obligohet sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që të bëjë zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, duke e kthyer ankuesin në pozitën e tij sipas akt emërimit të datës 26.12.2014 me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen nga marrëdhënia e tij e punës”, thuhet në vendimin që ka siguruar Gazeta Insajderi.
Krasniqi me 12 gusht me vendim të zëvendës sekretarit të përgjithshëm ishte transferuar përkohësisht në pozitën e udhëheqësit të divizionit për komunikim me publikun, nga pozita e shefit të prokurimit. Sipas këtij vendimi, ky transferim do të vlente për një periudhë gjashtë mujore.
Kundër vendimit Krasniqi është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, me pretendimet se vendimi është i kundërligjshëm.
Ai pretendonte se me këtë vendim të sekretarit atij i janë shkelur të drejtat elementare të punës, mohimi të njoftimit paraprak dhe se kishte shkelje të afateve të përcaktuara për rastet e transferimeve të përkohshme.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke marrë për bazë pretendimet e Krasniqit mori vendim për anulimin e vendimit të ministrisë dhe Krasniqin e ktheu në pozitën e më hershme. /Gazeta Insajderi