Në komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri u debatua për Ligjin i cili ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet që të hyjë në fuqi më 1 janar 2018.
Kryetari i këtij komisioni, Muhamet Mustafa, ka thënë se vendimi me të cilin kemi ndaluar importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.
“Ky Ligj hyn në fuqi prej 1 janarit 2018 për arsye se këto mjete janë duke e rritur numrin e aksidenteve. Dogana, akciza dhe TVSh-ja nga automjetet e përdorura është shumë e rëndësishme për buxhetin e Kosovës. Vendimi që ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të ketë efekte pozitive në mjedis sepse ky ka qenë motivi ynë, mirëpo edhe do të reduktojë të hyrat buxhetore”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, anëtari i komisionit, Fatmir Rexhepi, kërkoi që të ndahet në dy pjesë neni i cili ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet për shkak se sipas tij, pjesa e dytë e paragrafit flet për kriteret dhe kushtet e importimit të veturave Euro 4, që nënkuptojnë dy çështje të ndryshme.
“Ne duhet të ndajmë tek neni 44 paragrafi 2 në dy pjesë, për shkak të vendimit sepse këtu i kemi bashkë. ‘Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet’. Këtu të vendoset pikë pastaj kjo hyn në fuqi. Sepse duhet ta ndajmë pjesën tjetër që flet se në Kosovë nuk mund të importohen vetura të cilat nuk e përfaqësojnë standardin Euro4’, sepse janë dy qasje të ndryshme”, ka thënë Rexhepi.