Insajderi
Lajme

Nga “do ta shuajmë AKP-në” te shitja e 258 pronave të popullit: Paradoksi i privatizimit nën qeverisjen Kurti

Insajderi
19 August 2026 - 18:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Nga “do ta shuajmë AKP-në” te shitja e 258 pronave të popullit: Paradoksi i privatizimit nën qeverisjen Kurti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nga premtimi për mbylljen e AKP-së dhe kalimin e aseteve te Fondi Sovran, te vala e re e shitjes së 258 pronave publike në të gjithë Kosovën – një kontrast mes zotimeve të vitit 2021 dhe realitetit të sotëm

Gazeta Insajderi

Kur një forcë politike vjen në pushtet me zotime radikale për të ndryshuar modelin ekonomik të vendit, pritshmëritë janë gjithmonë të larta. Për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, një ndër shtyllat kryesore të fushatës dhe kauzave opozitare ishte ndalja e atij që ata e quanin anatemim dhe tjetërsim të pronës publike përmes privatizimit. Por sot, realiteti i qeverisjes po tregon një pasqyrë krejtësisht tjetër.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, të cilat e sollën në pushtet me shumicë absolute, Albin Kurti kishte një plan të qartë dhe të prerë për fatin e pasurisë së mbetur të Kosovës. Ai zotohej se epoka e privatizimit do të merrte fund dhe asetet do të përdoreshin për zhvillim shtetëror, jo për shitje.

Deklarata e tij programore ishte e drejtpërdrejtë dhe eksplicite.

“Do të krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre. Do ta shuajmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe asetet e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran”, kishte thënë Kurti.

Ky ishte zotimi që bindi mijëra qytetarë se valët e shitjes së pronave shtetërore do të ndaleshin një herë e mirë.

Realiteti i qeverisjes: Valët e shitjes vazhdojnë

Pavarësisht kësaj retorike të ashpër dhe atij premtimi solemn, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) jo vetëm që nuk është shuar, por po vazhdon funksionimin e saj me të njëjtat ritme si në qeverisjet e kaluara. Mekanizmi i “privatizimit të egër” siç quhej dikur, sot po aplikohet si një instrument normal i shtetit.
Dëshmia më e qartë e këtij paradoksi është zhvillimi i fundit i këtij institucioni. AKP-ja sapo ka shpallur shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, përkatësisht “Shitjen e Aseteve me Likuidim nr. 75”.

Në këtë valë të re, shteti ka nxjerrë në treg qindra prona, duke i ftuar të gjithë të interesuarit t’i blejnë ato.

Detajet e këtij procesi tregojnë përmasat e shitjes.

Në shitje janë përfshirë gjithsej 258 prona, të cilat shtrihen në të gjashtë rajonet e Republikës së Kosovës.

Pronat e ofruara prekin sektorë thelbësorë si bujqësia, banimi, tregtia, shërbimet dhe logjistika. Në to përfshihen njësi të përshtatshme për bujqësi intensive dhe pemëtari, njësi rezidenciale për zhvillim urban e rural, prona komerciale, depo dhe lokale afariste.

Sipërfaqet variojnë nga ato të voglat (për investitorë individualë) deri te sipërfaqe të mëdha për zhvillimin e agrobiznesit.

Në njoftimin e saj zyrtar, Agjencia Kosovare e Privatizimit fton hapur individët, bizneset, pjesëtarët e diasporës dhe investitorët e huaj që të marrin pjesë. Institucioni justifikon këtë valë me të njëjtin argument historik që ka përdorur gjithmonë: krijimin e mundësive konkrete për investime dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark