×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Nga fikja e dritave në kabinë, marrja e ryshfetit e futja e drogës në Kosovë” – Kronologjia e të bëmave të Benon Këpuskës dostit të Hajdar Beqës

    Insajderi
    20 March 2022 - 20:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Njëri nga të arrestuarit e rastit “Pika”, është edhe ish-gjyqtari i Superligës së Kosovës, Benon Këpuska, njëherit mik i afër me deputetin e PDK-së, Hajdar Beqa.

    InDoks sjell detaje ekskluzive të të bëmave të Benon Këpuskës. Sjell kronologjinë e veprimeve të tij kriminale. Nga ndalja e dritës në kabinën e pikës kufitare në Qafë Prush për marrje të ryshfetit e lejimi i futjes së marihuanës në territorin e Kosovës.

    Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga InDoks, emri i Këpuskës përmendet disa herë. Në njërin nga rastet Këpuska duket se është i stresuar. “Po i bë vaki diçka Artanit” (Artan Thaqi, një tjetër zyrtar policor, i dyshuar për korrupsion). Kjo pasi kanë pranuar ryshfetin prej 300 euro, për ta ndarë në tre pjesë, në këmbim që të lejohen futja e kamionit me “bimë shëruese”, kërpudha. Që sipas pretendimeve të prokurorisë dyshohet se bëhet fjalë për drogë të llojit Canabis Sativa.

    Veprimet kriminale të Këpuskën në bashkëpunim me kolegët e tij Agron Bejtullahu e Artan Thaqin nisin nga 25 gushti i 2021-ës nga ora 19:00.

    “Datë 25.08.2021 rreth orës 19:00 derisa ishte në detyrë në kabinën për kontrollimin e pasaportave në Pikë Kalimin Kufitar në “ Qafë Prush “, në bashkëkryerje edhe me zyrtarët policor Artan Thaqi dhe Agron Bejtullahu dakordohen, që personave të dyshuar ndër të cilët XH.S t`i mundësojnë kalimin e një sasie prej 500 kilogramë “bimë mjekësore” në këmbim të ryshfetit në shumë prej 300 eurove (nga 100 euro për secilin zyrtar)”.

    “Fillimisht i dyshuari zyrtar policor Artan Thaqi i njofton kolegët e tij Benon Këpuska dhe Agron Bejtullahu se një person e ka një kombi Mercedes me plotë bimë mjekësore, e pastaj zyrtari policor Benon Këpsuka kërkon nga zyrtari policor Artan Thaqi që të pyes personin e identifikuar me vonë si Xh.Sse ku ka me i qu bimët mjekësore?, pastaj i dyshuari Artan Thaqi e thirre personin e dyshuar Xh.Sdhe i njëjti futet në kabinën për kontrollimin e pasaportave ne PKK në Qafë Prush e ku prezent ishin tre zyrtarët policor të dyshuar si Benon Këpuska, Artan Thaqi dhe Agron Bejtullahu”.

    Në këtë pjesë shpjegohet qartë se si shtetasi nga Shqipëria Xh.S (emër i njohur për redaksinë), arrin t’i korruptojë zyrtarët policorë.

    “Personi i dyshuar XH.S i njofton se janë 500 kilogramë bimë mjekësore, që ai është garantues vetëm për çmimin (ryshfetin) me zyrtaret policor dhe se furgoni Mercedes është në Krumë të Republikës së Shqipërisë dhe se për 20 minuta do të vije. Pas diskutimit mes tyre të njëjtin dakordohen që në këmbim të shumës prej 300 euro në formë të ryshfetit për tre zyrtarët policor furgoni i llojit Mercedes Benz i modelit Sprinter mund të kalojë në drejtim të Kosovës”.

    Ndonëse këpurdhave iu referohen si ‘bime mjekësore’, Këpuska qartë shprehet se bëhet fjalë për bari (lloj i drogës).

    “Gjatë diskutimit në një moment i dyshuari Benon Këpuska i drejtohet kolegut të tij të dyshuarit Agron Bejtullahu se “Unë valla skish tu e ( nuk kuptohet) pa e ngjoft hiq. Hajt burrë zyllumin s’dashta me ja lshu ( nuk kuptohet) 500 killa ( nuk kuptohet) a e din. Bim mjekësorë nashta kan vlerë najsen”, ndërsa i dyshuari zyrtar policor Agron Bejtullahu i thotë se: “Kan vler more”, ndërsa i dyshuari Benon Kepuska i thotë kolegut të tij Agronit “Bari more burrë”.

    Në pjesën tjetër të dosjet shpjegohen se në cilin vend iu la mito, zyrtarëve policorë dhe si kryhet krej ky ‘aksion’.

    “Diku rreth orës 19:20 minuta të datës 25.08.2021, vije një veturë e vogël e udhëtarëve me ngjyrë të zezë e ku nga pajisja e fshehtë dëgjohet zëri i të dyshuarit Xh. S kur i thotë të dyshuarit zyrtar policor Artan Thaqi se “I ki i ki n’librezë” për çka ekziston dyshimi i arsyeshëm se parat në shumë prej 300 eurove vetëm ja kishte lënë në librezën e veturës i dyshuari Xh.S  zyrtarëve policor. Në këto momente të dyshuarit Benon Këpuska dhe Agron Bejtullahu nuk janë në kabinën për kontrollimin e pasaportave por qëndrojnë në një distancë jo të largët jashtë kabinës dhe e vëzhgojnë situatën”.

    Sipas prokurorisë fjalë është për substanca narkotike dhe jo kërpurdha. I cili duhet se u përdor si term i koduar për të kaluar në territorin e Kosovës më pas.

    “Pas kësaj veturë kalon edhe një veturë e llojit Ford ngjyrë hiri e ku zyrtari policor i jep shenjë që të kalon më shpejtë pa i kontrolluar dokumentet e pastaj vijë një kombi (furgon) i bardhë i llojit Mercedes Benz, dyshohet se kishte sasi prej 500 kilogramëve të substancave narkotike të llojit Canabis Sativa edhe pse të njëjtit i referoheshin si bimë mjekësore. Pasi ofrohet vozitësi i kombit që dyshohet se është djali i personit Xhevdet Sefolli, i dyshuari Artan Thaqi menjëherë del nga kabina dhe hip në kombin ku ndodheshin 500 kilogramët me “bimë mjekësore”.

    Tutje, në një moment tjetër përshkruhet se si Këpsuka duket i stresuar.

    “Pas kësaj situate i dyshuari Benon Këpuska dhe Agron Bejtullahu menjëherë hynë në kabinën për kontrollimin e pasaportave dhe vërehet se i dyshuari Benon Këpuska është mjaftë i stresuar pasi ka frikë se “po i bë vaki diçka të dyshuarit Artan Thaqi”, pasi që i njëjti njërin telefon e kishte harruar në kabinën për kontrollimin e pasaportave”

    Ndarja e ryshfetit bëhej brenda kabinave, por fillimisht ndaleshin dritat. Tani përveç zyrtarëve Benon Këpsuka, Agron Bejtullahu e Artan Thaqi, në lojë futet edhe Mehmet Manxhuka.  

    “Me datë 05.10.2021 rreth orës 20:30, deri sa ishte në detyre në në piken e kalimit kufitar Qafë Prush, futet brenda kabinës ku ishte zyrtari policor Mehemet Manxhuka në kontroll të pasaportave ku fillimisht e ndal dritën dhe i ndanë paratë që dyshohet se janë nga marrja e ryshfetit”.

    Përkundër herës së parë, këtë radh shuma e mitos është më e vogël.

    “Gjatë ndarjes, Benoni i tregon Mehmetit se një person ia kishte lënë 10 atij (dyshohet para kolegut të ekipit) edhe Gëzimi na i la 30 atë ditë (dyshohet euro) dhe ia jep një shumë të parave kolegut te tij Mhemet Manxhuka. Mehmeti e falënderon dhe ato qe dyshohet te jene para i merr nga tavolina dhe i fute ne xhepin e djathte përpara, pastaj Benoni e ndez dritën dhe del jashtë kabinës”, thuhet në dosje të Prokurorisë.

    Edhe në muajin tetor të vitit të kaluar për disa ditë radhazi Këpuska dhe kolegët e tij janë kapur derisa dyshohen se po kryenin veprime kriminale.

    “Me datë 18.10.2021 rreth orës 06:55, deri sa ishte në detyre në kabinë për kontrollin e pasaportave në piken e kalimit kufitar Qafë Prush, ndanë paratë me zyrtarin policor Agron Bejtullahu, para që dyshohet se janë pranuar nga qytetarët në formë ryshfeti gjatë ndërrimit të natës. Zyrtari policor Benon Kepuska e pyete Agronin se sa i ke ? Zyrtari policor Agron Bejtullahu i përgjigjët duke i thënë 20”.  

    “Me datë 18.10.2021 rreth orës 07:29, deri sa ishte në detyre në kabinë për kontrollin e pasaportave në piken e kalimit kufitar Qafë Prush, bisedon me zyrtarin policor Agron Bejtullahu lidhur me mënyrën se si merren vesh për marrjen e ryshfetit me disa nga personat që dyshohet se merren me kontrabandë te mallrave ku flitet edhe për një person (që dyshohet të jetë kontrabandist)”.

    “Agron Bejtullahu i drejtohet Benonit duke i thënë Gëzimi a nuk ia ka marr këtij a? Benon Këpuska i përgjigjët duke i thënë që Gëzimi (zyrtar policor) tha mos ja merr këtij se ja marr unë, po ja marr 20 (dyshohet euro). Gjithashtu, zyrtari në fjalë thotë që 500-600 kg i ka pas sigurt e jam ka du me i than 0.50 cent me ja ba ndasht. Edhe për sot i kam than mos me ardh”, vijon përshkrimi i  veprave kriminale.

    Në një situatë tjetër, tani në muajin nëntor Këpuska me Malë Berishën tjetër zyrtar policor dëgjohen duke komentuar se zyrtari Manxhuka është kapuar dy herë nga kamera e sigurisë duke marrë mito.

    “I dyshuari Benon Këpuska me datë 05.11.2021 rreth orës 12:08, deri sa ishte në detyre në kabinë për kontrollin e pasaportave në piken e kalimit kufitar Qafë Prush, bisedon me zyrtarët policor Malë Berisha, duke i treguar që dyshohet se kamerat e sigurisë e kanë kap dy herë tu marr para zyrtarin policor Mehmet Manxhuka.

    Ndërkohë, zyrtari policor Malë Berisha thotë qe ne kemi marr por kemi marr në mënyre më të fshehtë.

    “Benon Kepuska tërheq vërejtjen se as te “Edi” se ka kamera, te Guximi nuk ka kamera” dhe se mire qe se kanë nxen ata me mall (deklaron për atë se si kanë pas fat kur ka kaluar kufirin dhe nuk është zen nga njësit tjera të policisë)”.

    Edhe me 15 dhjetor të 2021-ës, i dyshuari Benon Këpuska rreth orës 10:21 deri sa ishte në detyre në kabinë për kontrollin e pasaportave në piken e kalimit kufitar Qafë Prush e ku prezent ishin edhe Rreshter Aqif Blyta, zyrtari policor Faruk Maxhuni, si dhe dyshohet që në kabinë ka qenë prezent edhe zyrtari policor Agron Bejtullahu, me kërkesë të Rreshter Aqif Blytës, i dyshuari Benon Këpska lejon të futet në territorin e Republikës së Kosovës pa vaksinë personin S.A i lindur më 25.10.1961, shtetas i Shqipërisë.

    Sipas Rreshter Aqif Blytes, ky person duhet të kaloj me kërkesë të shefit të madh e që dyshohet të jetë komandanti i pikës.

    “I dyshuari Benon Këpuska me datë 15.12.2021 rreth orës 11:13, deri sa ishte në detyre në kabinë për kontrollin e pasaportave në piken e kalimit kufitar Qafë Prush, në kabinë qëndrojnë edhe Rreshter Aqif Blyta, toger Ramiz Ahmetaj, zyrtari policor Faruk Maxhuni e ku dyshohet që në kabinë ka qenë prezent edhe zyrtari policor Agron Bejtullahu por qe nuk shihet në kamerë vetëm zëri i dëgjohet, aty vjen personi E.M i lindur më 10.02.1991, shtetas i Shqipërisë”.  

    Në rastin tjetër Këpuskës i ofrohet edhe një pije nga shtetasi i Shqipërisë sepse s kishe dokumentet. Madje njihen nga zyrtarët si person jo i rregulltë me dokumente. Por sërish lihet të kalojë.

    “Zyrtari policor Benon Këpuska pranon dokumentet dhe me shaka e pyet se a vjen ndonjëherë ne rregull ti pasi që personit dyshohet se i mungonin dokumentet. Pas bisedës që zhvillohet aty, E.M i ofron para për pije zyrtarit policor Benon Këpuska por i njëjti nuk i pranon dhe personi lejohet që të kaloj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë të cilën ka arritur ta sigurojë InDoks.

    Benon Këpuska për vite me radhë ka ndarë drejtësinë në Superligën e Kosovës, ndërsa, tash e një kohë ka kaluar në futsall. Ai së fundi ka mbajtur detyrën prej sekretari tek klubi i futsallit, Liburni, klub ky që është në pronësi të Abaz Beqës, vëllait të deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa.

    InDoks | Pika e Zezë e Policisë, Dosja ekskluzive e korrupsionit në Policinë e Kosovës:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark