×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Nga “Hashim shko në Hagë”, deri tek “Thaçi është i pafajshëm”

    Insajderi
    16 December 2020 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi

    Më 9 janar të vitit të kaluar, Albin Kurti, lideri i Lëvizjes vetëvendosje, e kishte shkruar një shkrim të gjatë përmes të cilit i kërkonte Hashim Thaçit, atëkohë President i vendit që të shkonte në Hagë.

    Në shkrimin prej 10 paragrafësh, ai saktësisht 18 herë i përmend frazat si: “Shko Hashim”, “Shko në Hagë”, “Shko ti”.

    Kurti e konsideronte Thaçin si fajtorin kryesore për themelimin e Gjykatës Speciale.

    “Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim”, thuhej në nisje të shkrimit të Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shkrimi i liderit të Vetëvendosjes vazhdonte edhe me akuza të tjera ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi.

    Një vit më pas, duket se gjërat kanë ndryshuar, madje edhe qëndrimi i Kurtit për Thaçin.

    Në momentin kur ish-Presidenti dhe të tjerët u akuzuan nga Gjykata Speciale për krime lufte, i pari i Vetëvendosjes tha se “Qeveria e Kosovës të mbrojë të akuzuarit e Hagës”.

    “Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti, më 15 nëntor, gjatë një konference për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për akuzat e Speciales ndaj Thaçit, mbrëmë ka folur edhe Glauk Konjufca, i cili mendon se ish-Presidenti është i pafajshëm.

     “Ata e kanë dalluar vetveten, p.sh. prokuroria i ka tre fakte shumë rënda kundër Thaçit, siç është letra e Pompeos, ku ka thënë se duhet të shpërbëhet Gjykata Speciale, e tash prokurori thotë se ‘ky njeri i ka shkruar njërit prej njerëzve më të fuqishëm të botës me na shpërbë neve’”.

    “Të gjitha këto nuk janë gabime as të Kurtit, as të Hotit e as të Kosovës, por janë gabime të Thaçit që s’e di pse i ka bërë e s’ka pasur nevojë me i bë. Besoj që dikush e ka këshilluar që mos me i bë, por  siç duket e ka bërë prej panikës e frikës”.

    “Mendoj që ai është i pafajshëm, por po tregoj se çka ka menduar prokurori”, ka thënë Konjufca, kur është pyetur në Rubikon për Hashim Thaçin.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët nga Gjykata Speciale në Hagë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në aktakuzën e Prokurorisë së Posaçme në Hagë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark