Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, paraqitjen e fundit e pati në një medium lokal. Por, kësaj radhe ajo ka vendosur ta ngrit cilësinë e paraqitjes publike. Ajo është takuar me deputetë të Bundestagut të Gjermanisë, të cilëve iu ka folur për “ndryshimet thelbësore” në komunat veriore dhe “qeverisje të mirë”.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thuhet se Gërvalla iu foli deputetëve gjermanë edhe për prioritetet e politikës së jashtme kosovare, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, takoi një grup të deputetëve gjermanë, të cilët i informoi rreth proceseve politike në vend, situatën e sigurisë dhe ndryshimet thelbësore në komunat veriore, rezultatet e qeverisjes së mirë dhe prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD’së.
“Gjatë takimit me deputetët, Niels Annen (SPD), Ulrich Lechte (FDP), Thomas Erndl (CDU/CSU), Andreas Schwarz dhe Armand Zorn (SPD) si dhe Alexander Müller (FDP), Ministrja Gërvalla i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës duke theksuar se Gjermania është partnere e fuqishme e Kosovës dhe mbështetja e saj për Kosovën në proceset euroatlantike është thelbësore për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, vijon njoftimi.
Për Gërvallën ka pasur një sërë kritikash për paraqitjen e fundit të saj publike në një media lokale të Istogut. Aty ka hedhur akuza ndaj LDK’së, duke e përafruar atë me Sami Lushtakun.
Ajo po ashtu e miratoi me të qeshura një deklaratë të një shikuesi, i cili e quajti ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, vampir. /Insajderi.org/