×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Nga ligjërimi në shtëpi private tek kushtet sot- flasin profesorët universitar në 53 vjetorin e themelimit të UP-së

    Insajderi
    15 February 2023 - 23:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot, Universiteti publik i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, festoi 53-vjetorin e themelimit. Si tempull i dijes për më shumë se 5 dekada, ky Universitet rangohet ndër më të mirët në rajon. Në lidhje me ligjërimin ndër vite, kushtet dhe interesimin e studentëve në këtë institucion, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me profesoreshën, Vjosa Sadriu Hamiti nga Fakulteti i Filologjisë si dhe profesorin Blerim Rexha nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

    Sadriu-Hamiti ka rrëfyer për Insajderin kohën kur ajo ishte studente. Saktësisht për periudhën e viteve të 90-ta ku mësimi zhvillohej në shtëpi private.

    “Unë jam gjenerata e viteve të 90-ta, kur mësimi mbahej nëpër shtëpia, unë si studente kam filluar në vitet e 90-ta, kur Universiteti i zhvillonte aktivitetet ne shtëpi e garazhe kur ishin dëbuar nga serbët. Pastaj me mësimdhënie kam filluar në 95-tën, Atëkohë, fillimisht kemi mbajt në lagje të ndryshme të Prishtinës, mandej ne 98-tën u nënshkrua marrëveshja ku na u kthyen objektet e fakultetit Teknik, Ekonomik dhe Juridik, kemi pas në ditë të caktuara t’i mbajmë ligjëratat në amfiteatra sikurse i realizojmë edhe sot”, tha Sadriu-Hamiti për Insajderin.

    Ndërkaq sipas profesorit, Blerim Rexha në krahasim me vitet e mëhershme ka përmirësim. Megjithatë, ai thotë se nuk është arritur të përmbushen pritjet e studentëve.

    “Për këto vite kemi mundur të arrijmë më shumë, dhe kështu nuk kemi përmbushur pritjet e studentëve dhe shoqërisë. Por nga ana tjetër – ku kemi qenë tani jemi më mirë, se para gati 20 viteve”, tha Rexha për Insajderin.

    Në lidhje me interesimin e studentëve për institucionin publik arsimor, përkatësisht UP-në, Sadriu-Hamiti pohon se ka akoma interesim.

    Sipas saj, fakti që UP, rënditet ndër Universitetet më të mira tregon se sa seriozisht merret si institucion arsimor.

    “Edhe pse vitin e kaluar në qershor kur u hap konkursi për pranimin e studenteve ishte në media se ka rënë interesimi për studime në UP, unë nuk kisha thënë se ka ra interesimi. Me vetë faktin që UP po del ne rang lista botërore, me e mira në Kosovë por edhe në rajon me matje po del si Universitet serioz”, tha ajo për Insajderin.

    Kurse Rexha mendon ndryshe, ai thotë se trendet tregojnë se ka rënie të interesimit nga nxënësit për regjistrim në institucione publike.

    Ai shtoi se Universiteti duhet që përpos vlerave shkencore dhe profesionale të përçojë edhe ato universale të qytetarisë.

    “Trendët tregojnë që kemi një rënie të interesimit të nxënësve për tu regjistruar institucione publike. Vetëm cilësia mund ta përmirësoj këtë trend, asgjë tjetër! Padyshim ngecjet kryesore janë integriteti akademik dhe transparenca. Universiteti duhet të përçojë jo vetëm vlerat shkencore dhe profesionale por mbi të gjitha ato universale të qytetarisë. Dhe vetëm pas presionit qytetarë pothuajse u këndellëm pak, por ende ka rezistencë në këtë drejtim”, tha ai për Insajderin./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark