
Panairi i Librit i cili momentalisht po qëndron i hapur në Beograd, i ka lënë vend edhe këndit e shtandit të Zyrës për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë.
Dhe si e do zakoni, kjo Zyrë ka dërguar librat e vetë për ti shitur në Panairin prestigjioz të librit në kryeqendrën serbe.
Dje, në kuadër të Panairit të 61-të të Librit, Dioqeza e Rashkës në Prizren ka organizuar promovimin e librit “Trashëgimia e Kosovës e Metohisë – Trashëgimia historike, shpirtërore dhe kulturore e Serbëve”. Promovimi ka ndodhur në sallën 1A.
Hapjen e promovimit e ka bërë Patriarku Irinej dhe drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi në Qeverinë Serbe, Marko Gjuriq, shkruan Tanjug.
Monografia e cila u promovua dje në ora 17:00 në Beograd përmban tekste nga teologë, historianë, gazetarë e artistë të Serbisë, njëjtë edhe dokumente e kapituj historik që raportojnë mbi trashëgiminë kristiane në Kosovë e Metohi.
Monografia është financuar nga Qeveria e Serbisë me anë të kësaj zyre.