Distributori nga Maqedonia e Veriut, ATB SEVER MAK, e cila merret me plasimin e produkteve të prodhuesit serb ATB Sever nga Subotica, ka fituar tenderë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në konsorcium me kompaninë kosovare N.T.SH. MONTELEKTRO.
Konsorciumi i përbërë nga N.T.SH. MONTELEKTRO nga Kosova dhe ATB SEVER MAK nga Maqedonia e Veriut është shpallur fitues në dy lote të tenderit të KEK-ut për furnizim me elektromotorë.
Bëhet fjalë për Lotin 2 – Elektromotor i pompës kryesore të ujit ftohës dhe Lotin 3 – Elektromotor i Kondenz pompës (900 kW).
Vlera e tenderit për Lot 2 është 178 mijë euro.

Për Lotin 3, dokumenti i kontratës tregon se konsorciumi N.T.SH. MONTELEKTRO ; ATB SEVER MAK ka fituar kontratën me vlerë mbi 115 mijë euro. Njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 26 qershor 2026, ndërsa kontrata është nënshkruar më 8 korrik 2026.
Në kontratën e nënshkruar është përmendur se vendi i origjinës së produktit është Serbia.

Kompania serbe prodhon elektromotorët
ATB SEVER MAK D.O.O.E.L. është kompani me seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa vepron në sektorin e makinerive dhe pajisjeve industriale. Sipas të dhënave të publikuara për kompaninë, ajo merret me importimin dhe plasimin e produkteve të fabrikës ATB Sever nga Subotica e Serbisë, duke përfshirë elektromotorë.
Vetë kompania ATB Sever e liston ATB SEVER MAK si distributore për Maqedoninë e Veriut. ATB Sever, me seli në Suboticë, është prodhues i makinave elektrike rrotulluese dhe prodhon elektromotorë për përdorim në termocentrale, miniera, industri dhe sektorin energjetik. Sipas të dhënave të grupit Wolong, ATB Sever është pjesë e këtij grupi që nga viti 2011, shkruan Insajderi.
Lidhja e ATB SEVER MAK me prodhuesin nga Subotica figuron edhe në dokumentet e mëhershme financiare të grupit ATB, ku kompania nga Shkupi ishte paraqitur si subjekt me 100 për qind pronësi indirekte dhe me veprimtari kryesore në shitje.
Madje, në një dokumentet teknik të publikuar nga ATB Sever, ATB SEVER MAK dooel figuron në listën e referencave për furnizime të motorëve të ndryshëm industrialë, përfshirë motorë për pompa, kompresorë, mullinj qymyri dhe ventilatorë.
Kështu, në tenderin e KEK-ut, kompania kosovare N.T.SH. MONTELEKTRO dhe kompania nga Maqedonia e Veriut ATB SEVER MAK, e lidhur tregtarisht me prodhuesin serb ATB Sever, kanë marrë pjesë si grup i operatorëve ekonomikë, duke fituar dy lote për furnizim me elektromotorë për pajisjet e Korporatës Energjetike të Kosovës, shkruan Insajderi.
Kompania nga Kosova figuron në emër të Daut Shaqirit.
