×
  • Lajme
  • Lajme

    Nisin hetimet ndaj profesorëve që dyshohet se vodhën mbi 10 mijë euro

    Insajderi
    25 July 2016 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Shtetit është aktivizuar pas publikimit nga Insajderi të hulumtimit të titulluar “Katër profesorët e UP-së që dyshohet se vodhën mbi 10 mijë euro në Gjakovë”.

    Artikulli është publikuar më 15 korrik të këtij viti, ndërsa një javë më pas është autorizuar Prokuroria Themelore e Gjakovës që të ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me këtë rast.

    “Në momentin që kemi marrë këtë informacion Prokuroria e ka marrë me seriozitet  rastin, dhe  tani është  proceduar  për më tutje rasti në fjalë”, ka konfirmuar për Insajderin, Hekrem Lutfiu, zyrtar informimi në Prokurorinë e Shtetit.

    Vendimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore e ka marrë prokurori Besim Kelmendi, më 22 korrik të këtij viti.

    Kelmendi ka vendosur që rasti t’i dërgohet në kompetencë Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    Insajderi pati raportuar për një skemë të realizuar nga katër profesorë të Universitetit të Prishtinës, që ua ka mundësuar atyre të përfitojnë mbi 10 mijë euro nga Universiteti i Gjakovës.

    Veprimet e tyre janë vlerësuar si të kundërligjshme nga Auditori i Përgjithshëm. Të katër profesorët e UP-së kishin udhëhequr përkohësisht Universitetin e Gjakovës.

    Gjithçka kishte nisur me vendimin e marrë në fund të vitit 2014 nga Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

    Vendimi i Zejnullahut nuk lejonte stafin akademik që të mbante edhe një vend pune me orar të plotë jashtë UP-së.

    Si pasojë e këtij vendimi, UP-ja ua kishte ndalur pagat për 2 muaj (dhjetor dhe janar 2014/2015) tre prorektorëve- Gazmend Qorraj, Kastrit Buza e Isa Elezaj dhe Bajram Nurajt, kryetarit të këshillit të përkohshëm drejtues të Universitetit të Gjakovës, që ishte njëkohësisht edhe u.d. i Rektorit.

    Katërshja e profesorëve nuk kishin qëndruar duarkryq. Ishin kundërpërgjigjur. Por, veprimet e tyre shihen si të kundërligjshme nga Auditori i Përgjithshëm.

    “Megjithatë gjatë 2015, u.d. Rektori kishte marrë një vendim për të paguar pagat e tre profesorëve për punën të cilën e kanë kryer në Universitetin e Prishtinës (organizatë tjetër buxhetore) përfshirë edhe pagën e vet (në shumë totale prej 10,851€)”, thuhet në raportin e auditorëve.

    Për më keq, sipas raportit, pagesat nuk ishin bërë nga kategoria Paga por nga linja Mallra dhe Shërbime, përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.

    Auditori i Përgjithshëm ka vlerësuar  “pagesat për punën e kryer në një organizatë tjetër buxhetore janë të pa ligjshme dhe potencialisht mund të konsiderohen si keqpërdorim i parasë publike”.

    Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka vlerësuar se veprimi i katër profesorëve paraqet  shkelje të rëndë ligjore. (Insajderi)

    Katër profesorët e UP-së që dyshohet se vodhën mbi 10 mijë euro në Gjakovë

     

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark