Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj mënyrës së si po diskutohet çështja e rrëzimit të murit i ndërtuar matanë urës së lumit Ibër në veri të Mitrovicës.
Nitaj ka thënë se nuk pajtohet me logjikën e shtetit, për të cilin thotë se nuk ka pasur nevojë për rezolutë, por ka mundur ta rrëzojë atë me një vendim të një zyrtari komunal në Mitrovicë.
Mbi këtë bazë, ai ka thënë se po krijohen kauza e fitore nga hiçi.
“Serbët e mençur për t’i zbrapsur shqiptarët edhe më larg Ibrit, ndërtojnë një mur atje dhe mëpastaj ky mur, që mbinë nga hiçi, bëhët kauzë e hiçit. Shqiptarët e (pa)mençur që nuk kanë as tru as zemër për ta hequr këtë mur, mblidhen në Kuvend për tu shfryer duke rrahur gjoks sa trima janë dhe miratojnë një rezolutë për rrënimin e një muri. Kjo rezolutë, jo se e heq këtë mur, por shqiptarët e (pa)mençur kështu e krijojnë një fitore nga hiçi”, ka thënë Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AA-së.
Kuvendi i Kosovës, më 74 vota ‘për’ sot e ka miratuar propozim-rezolutën e AAK-së, e cila i kërkonte që muri të rrënohet në muajin janar të vitit të ardhshëm; Qeveria të angazhohet që të ndërmarrë masa ndaj ndërtimeve pa leje në veri, dhe murin ta trajtojë si të tillë; Qeveria të marrë masa që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe t’i përmbajë elementet e që i kishte në vitin 1999 dhe te mos ndryshohen ato; të kthehen sa më parë qytetarët në pronat në veri.
Por këtë rezolutë Nitaj e ka krahasuar me aksionin që ish-kryeministri, Hashim Thaçi, kishte urdhëruar të ndërmerret në veri më 25 korrik, më ç’ rast u vra polici Enver Zymberi, duke e quajtur atë si fitore të hiçit.
“Kjo është si ajo fitorja nga hiçi e Hashim Thaçit me atë sulmin e famshëm të 25 korrikut në veri, ku u “trand mali e polli një mi”!”, ka thënë më tej Nitaj.
“Kështu shqiptarët e politikës së hiçit, për çdo muaj e krijojnë nga një kauzë prej hiçi, dalin në kuvend e flasin për hiçin, e kur kthehen në shtëpi krekosen si gjelat para grave të tyre, se sa t’mençëm i kanë burrat, dhe e krijojnë edhe një fitore nga hiçi!”, ka përfunduar reagimin e tij Muharrem Nitaj.
Qëndrimin e tij Nitaj e ka cilësuar si qëndrim personal dhe jo të partisë apo të ndokujt tjetër./Insajderi.com