×
  • Op-Ed
  • Insajderi

    Një aventurë bipolare në Korenë e Veriut

    Insajderi
    23 October 2020 - 12:10

    Shkruan: Mirja Lakso

    Ishte një ditë dhjetori me diell në një nga vendet më të mbyllura në botë, Koreja e Veriut. Unë isha duke ecur në rrugën e një periferie të qytetit Pyongyang së bashku me “Onnin”. Onni do të thotë motër e madhe në gjuhën Koreane dhe është një term respekti. Ashtu e quaja unë atë, edhe pse e dija që ajo ishte shumë më e re se unë.

    Gjatë udhëtimit tim në Korenë e Veriut u bëmë mikesha të mira. Ajo ishte një pjesë e elitës së Koresë së Veriut, sapo kishte mbaruar studimet universitare dhe ëndrra e saj ishte që një ditë të bëhej diplomate.

    Atë ditë i tregova asaj se si fëmijët në Suedi fillojnë të praktikojnë të menduarit kritik dhe kritikat e burimit në kopshtin e fëmijëve. Si ne mësojmë të vëmë në dyshim gjërat që në moshë shumë të hershme.

    –  Të vëmë në dyshim një burim, çfarë do të thotë kjo? ” ajo më pyeti.

    Ajo vështroi rrugën që shtrihej kilometra përpara nesh me vetëm dy makina të dukshme. Përfundoi me një mal që kishte një mesazh politik në majë.

    Je gjithmonë i rrethuar nga mesazhe politike në Korenë e Veriut. Ato janë kudo; në ndërtesa, në tabela, në statuja, në fabrika, në vende pune, në shkolla, madje edhe në majat e maleve.

    –   “A është sikur ‘brainstorming’ (stuhi mendimesh)?” ajo më pyeti pastaj.

    Brainstorming? – pyeta vetën.

    –  “Hmm… Jo saktësisht. Për shkak se ‘brainstorming’ është një lloj aktiviteti i bërë në grup.” thashë unë. 

    Nuk reflektova se sa e çuditshme ishte që ajo e dinte këtë term. “Brainstorming”, diçka që bëhet në një grup, në mënyrë që të zgjidhet një problem duke ndarë në mënyrë spontane idejat.

    Padyshim që nuk është një aktivitet i zakonshëm në Korenë e Veriut, ku mendimi supozohet të bëhet vetëm në një mënyrë, mënyra që mësohet nga shteti.

    Por Onni kishte një mendje të vetën. Ajo kishte humor, ishte e mprehtë dhe ishte kurioze. Ajo dëgjonte për një kohë shumë të gjatë dhe pastaj bënte pyetje.

    Ajo gjithashtu u vesh me të vërtetë bukur. Stili i saj ishte një përzierje e një ylli të filmit të viteve të 50-ta dhe të një zonje të vjetër moderne. Ajo gjithashtu kishte një nga ato celularët e vjetër me kapak, por pa ekran.

    Sëmundja mendore në Korenë e Veriut

    Ne filluam të flasim për Korenë e Jugut, vendin ku unë jetoja dikur, dhe sa të larta janë shkallët e vetëvrasjeve atje.

    Ishte Onni ajo që më tha se në Korenë e Veriut vetëvrasja nuk ekziston. Ajo gjithashtu shpjegoi nuk ka sëmundje mendore fare në këtë shtet. E pyeta nëse ka ndonjë ngacmim seksual në Korenë e Veriut.

    – Jo. Asgjë, tha ajo.

    Kur u kthyem në autobus, u ulëm së bashku me disa djem nga Anglia dhe Australia. Autobusi doli nga qyteti dhe pasi kaluam një makinë me altoparlantë që jepte mesazhe për të inkurajuar njerëzit të punonin shumë, ia filluam përsëri bisedës.

    Unë u thashë Onnit dhe djemve që tani ka të paktën një person me sëmundje mendore në Korenë e Veriut, pasi unë po shkojë për vizitë. Unë shpjegova se jam bipolare dhe kjo do të thotë që nganjëherë jam shumë e lumtur dhe nganjëherë jam shumë e trishtuar. Dhe që unë marr ilaçe çdo ditë.

    Onni më shikoi shumë e habitur, duke më thënë se nuk jam aspak e sëmurë mendërisht dhe të gjithë qeshëm.

    –  Ndryshe, por jo e sëmurë mendërisht, bëri shaka ajo.

    Ata të gjithë menduan se unë isha ndryshe. Mund të flisja gjuhën Koreane, shpesh isha e hutuar dhe kisha flokë ngjyrë rozë. 

    Gjithashtu në aeroportin e Pyongyang takova shumë njerëz, një kor nga Korea dhe disa turistë perëndimorë, kështu që në të gjithë Pyongyang vazhduam të përplaseshim me njerëz që ishin të lumtur të më shihnin.

    Ky u bë një mister i madh për miqtë e mi të Koresë së Veriut, të cilët përfundimisht e kthyen në shaka se unë isha personi më i famshëm në Korenë e Veriut, PAS LIDERVE. Ishte shumë e rëndësishme të shtoni pjesën “PAS LIDERVE” kur bënim këtë shaka. Dhe kështu bëmë.

    Pastaj burri më i rritur në grup filloi të flasë dhe i tha Onnit se shumë herë sëmundja mendore dhe depresioni janë diçka që nuk mund të shihet, diçka që njerëzit shpesh e fshehin.

    – Është si të jesh i sëmurë nga brenda, shpjegoi ai.

    Ajo e shikoi atë dhe unë shtova,

    – Dikur më vinte turp për këtë sëmundje. Sot jo më. Mundohem të flas shumë rreth kësaj për të mbështetur të tjerët.

    Tani, ne dolëm nga qyteti dhe ishim në rrugën bosh që të çonte përsëri në Pyongyang. Në fusha, mund të shihnim njerëz që punonin, të veshur jo me rroba të mjaftueshme. Pyesja veten se çfarë po punonin pasi ishte dhjetor dhe toka ishte e ngrirë.

    Duke shpjeguar #MeToo

    Kjo është kur djali nga Australia u bashkua në bisedë.

    “A ke dëgjuar ndonjëherë për MeToo?” e pyeti.

    Ajo tha “Jo, çfarë është ajo?”

    Ai u përgjigj “Ishte një lëvizje globale kundër ngacmimit seksual që filloi në vitin 2017.”

    Po mendoja – Si do të shpjegojmë diçka që ndodhi në internet për një person që nuk e di se çfarë është interneti?

    Por djemtë filluan të shpjegojnë se si lëvizja MeToo lidhi gratë nga e gjithë bota në internet, si ato ndanë përvojën e tyre personale haptazi dhe krijuan një protestë globale kundër ngacmimeve seksuale.

    Pastaj ata shtuan se ngacmimi seksual, abuzimi seksual dhe përdhunimi është një problem i madh në të gjitha vendet dhe se kjo me gjasë ndodh edhe në Korenë e Veriut.

    Ajo më shikoi dhe unë e kuptova që duhej të shpjegoja më thellë se çfarë është ngacmimi seksual dhe abuzimi seksual. Kur mbarova, ajo pyeti nëse më ka ndodhur ndonjëherë mua.

    “Po. Shumë herë. Që kur isha fëmijë. ” Dhe shpjegova se kam takuar mijëra gra nga e gjithë bota që ndajnë përvoja të ngjashme si unë.

    Ajo nuk e kuptonte vërtet, por kur shpjegova se çfarë është abuzimi seksual me disa shembuj nga jeta ime ajo papritmas tha,

    –  A është kjo arsyeja pse je e sëmurë?

    Duhet të them që jo shpesh njerëzit më befasojnë, por në këtë moment, unë mbeta pa fjalë. Pasi mendova pak, thashë,

    –  Nuk e di saktësisht pse. Çrregullimi bipolar mendohet të jetë diçka gjenetike – diçka me të cilën ke lindur – por një traumë, një ngjarje e tmerrshme në jetë – të tilla si abuzimi seksual, vdekja e një anëtari të familjes ose ndonjë përvojë tjetër e e dhimbshme ose stresuese – mund të jetë shkas – diçka që fillon sëmundjen. Është shumë e vështirë të dish këto gjëra.

    Ajo më shikoi në një mënyrë të trazuar dhe tha se i vinte keq që më ndodhën gjëra të këqija. Unë thashë që gjëra të këqija u ndodhin njerëzve në të gjithë botën dhe shumë njerëz po vuajnë edhe nëse ne nuk mund ta shohim atë. Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të mirë me njëri-tjetrin. Ajo u dakordua.

    Kulla “Juche”

    Disa çaste më vonë po qëndronim në majë të kullës Juche, 170 metra lart në qiell, me pamje nga Pyongyang. Duhet të ketë qenë nën -30 ° C dhe dukej sikur një shtresë e hollë akulli po mbulonte të gjithë qytetin, që mbështetej paqësisht në shumë ngjyra të ndryshme të shtëpive të pikturuara në pastel.

    Në anën tjetër të lumit Taedong mund të shihje kamionë që lëviznin rreth e rrotull në sheshin Kim Ill Sung, sheshin që gjithmonë shihet në TV. Atje kishim kaluar disa ditë më parë dhe pamë punëtorët që përgatisnin statuja akulli për Festivalin e Akullit të Vitit të Ri.

    Në majë të kullës po bënim fotografi dhe xhirime, duke u ngatërruar, ri-xhiruar dhe qeshur. Papritmas njerëzit e tjerë kishin zbritur me ashensor dhe ne mbetëm vetëm atje lart.

    Onni u stresua pak, por mua nuk më pengoi. Ishte pamja më spektakolare dhe kur nuk qeshnim ose flisnim, mund të dëgjoja tinguj të qetë nga një udhëtim larg përtej lumit të palëvizshëm.

    Çfarë është një ATM?

    Një ditë tjetër kjo ishte biseda jonë. Unë përmenda diçka për ATM-të dhe ajo më pyeti:

    – Çfarë është një ATM?

    – Është si një makinë në një mur ku vendoset një kartë plastike brenda dhe një kod dhe paratë dalin.

    – Para nga muri?

    – Po. 

    –  Me të vërtetë?

    – Po. 

    Unë e çova atë në një mur dhe i tregova se si funksionon duke bërë kinse po vendosi kodin tim dhe po marr para dhe ajo studioi lëvizjet e mia me vëmendje.

    Festa e fundit

    Mbrëmja ime e fundit në Pyongyang ishte dita e Vitit të Ri dhe ne patëm një darkë në një vend të bukur. Pas disa orësh perdja u ngrit dhe një grup vajzash nga Koreja e Veriut filloi të përformonte. Gjatë shfaqjes, unë u largova nga tavolina me miqtë e mi perëndimorë dhe shkova të ulesha me koreanët.

    Sapo u ula pranë Onnit dhe burrat filluan të më mbushnin gotën, grupi filloi të luante këngën “Gëzuar Vitin e Ri” nga ABBA.

    –  Onni! Kjo është një këngë nga vendi im! Nuk mund të besoj se e dinë këtë këngë!

     –  Me të vërtetë? A është nga Suedia?

     –  Po. Shtë një këngë nga një grup i quajtur ABBA.

    –  Me të vërtetë?

    –  Po. Të premtoj!

    Unë u bëra aq e emocionuar saqë fillova të qaj dhe ajo më bëri vend në karrigen e saj. Atje u ulëm afër, duke u kapur për dore, duke qeshur, duke pirë dhe kur unë fillova të këndoja refrenin e këngës, burrat e vjetër koreanë në tryezë filluan të këndonin me mua, edhe nëse nuk i dinin fjalët. Onni qeshi dhe u përpoq të këndonte pak.

    Për shumë ditë në Korenë e Veriut nuk kam pasur asnjë kontakt me botën e jashtme. Unë jetova e izoluar si ata që kanë bërë kështu gjithë jetën e tyre, por gjatë atyre 3 minutave, përmes një çarjeje të vogël, të papritur dhe me kaq shumë fuqi, bota ime u derdh në të sajën.

    Pjesën tjetër të natës bënim sikur të ishim vetëm dy vajza në një mbrëmje, por thellë brenda vetes të dyja e dinim se kur muzika do të ndalej dhe unë do të largohem nga Koreja e Veriut, bota ime do të kthehet ngadalë nëpër ato të çara për të mos u derdhur kurrë më në të botën e saj.

    Atë natë ajo më premtoi se kurrë nuk do të hiqte dorë nga ëndrra e saj për t’u bërë një diplomate dhe se kurrë nuk do të pushonte së besuari në paqe.

    Ajo gjithashtu më bëri të premtoj se do të zbres në hollin e hotelit në 8 të mëngjesit për t’i thënë lamtumirë asaj. Më vonë, kur u ktheva në dhomë, vendosa 20 alarme në telefonin tim.

    Të them lamtumirë 

    8.02 U zgjova në panik. Nuk kisha kohë të vishesha, kështu që unë thjesht vrapova në hollin e hotelit me pizhama, por kur zbrita atje ajo ishte zhdukur.

    Ata më thanë se ajo tashmë ishte larguar dhe shpejt vendosa të shfrytëzoj një shans. Unë nuk kërkova lejen e askujt për të lënë hotelin, dhe fillova të vrapoj. Vrapova nëpër hollin e madh, nëpër dyert e xhamit rrotullues dhe dola jasht në mëngjesin e ngrirë të janarit.

    Bora ishte shumë e ftohtë nën këmbët e mia të zhveshura dhe nuk kisha idenë se ku të filloja ta kërkoja. Vrapova poshtë një kodre drejt një parkingu të madh plot me njerëz.

    – Onni! Onni! Unë bërtita. 

    Pastaj më në fund e pashë atë përmes xhamit të një autobusi që sapo ishte nisur. Unë përplasa në xhamin e autobusit me dorë dhe ajo më pa. Ajo doli nga autobusi, aq e befasuar kur më pa që qëndroja aty me pizhamet e mia.

    U përqafuam shpejt dhe unë i dhashë një çantë të madhe me kozmetikë, produkte bukurie, pëlhura dhe dhurata nga Suedia që solla me vete. Për disa sekonda ne thamë fjalët tona të fundit dhe pastaj dyert u mbyllën dhe ajo më bëri me dorë nga dritarja.

    Pastaj autobusi u zhduk dhe me të edhe Onni.

    Duke kujtuar Onnin

    Duke u kthyer nga Koreja e Veriut, kam menduar për Onnin shumë herë.

    Kur isha në moshën e Onnit, në fillim të 20-ave, nuk isha aq mendjehapur sa ajo. Unë dija shumë më tepër për botën, por kisha shumë prestigj intelektual.

    Shumë herë, unë isha ngulmuar ngushtë në idetë e mia, duke mbrojtur besimet e mia dhe duke u përqëndruar në bindjen e të tjerëve.

    Kam biseduar shumë dhe kam dëgjuar shumë pak.

    Shumë herë, e kam parë më të rëndësishme të bëj që njerëzit e tjerë ta shohin botën nga perspektiva ime, në vend që të përpiqem të bëja të kundërtën.

    Sot po përpiqem të jem më shumë si Onni nga Koreja e Veriut.

    Më mendjehapur.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark