×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Një drejtoreshë ilegale nga Serbia kundër planeve të AKP-së për administrimin e Brezovicës

    Insajderi
    02 August 2021 - 18:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në mes të planeve të qeverisë për shuarje dhe dilemave rreth të ardhmes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, menaxhmenti i agjencisë ka gjetur veten në një kontest me strukturat paralele serbe për menaxhimin e Qendrës së Skijimit ‘Brezovica’.

    Disa muaj pas nënshkrimit të vendimit për futjen nën Administrim Direkt të ‘Inex Sharr Planina Brezovicë’, ndërmarrjes shoqërore që menaxhonte me resortin prej 20 vitesh, AKP-ja është duke u ballafaquar me rezistencën e punëtorëve të ndërmarrjes për bashkëpunim me Bordin e Përkohshëm Menaxhues, si dhe me ndërhyrjen e shtetit serb.

    Me qëllim kundërshtimin e futjes së Brezovicës nën Administrimin Direkt të AKP-së, sipas drejtorit menaxhues të agjencisë Valon Tolaj, organet serbe kanë zgjedhur një drejtoreshë të jashtëligjshme për menaxhimin paralel të Qendrës Turistike ‘Brezovica’. Ajo quhet Vesna Zlatiç.

    Zlatiç është dërguar me mision nga Beogradi, kanë thënë për Gazetën Insajderi burime të mirëinformuara rreth ngjarjes.

    “Sipas Bordit te Përkohshëm Menaxhues te ndërmarrjes nga organet serbe është zgjedhur një Drejtoreshë e cila quhet Vesna Zlatic dhe e cila vetëm kohe pas kohe ka ardhur ne ndërmarrje dhe se sipas Bordit te Perkohshem Menaxhues te zgjedhur nga AKP-ja”, ka thënë të hënën për Insajderin, Valon Tolaj, drejtori menaxhues i AKP-së.

    Misioni i Zlatiç në Brezovicë përfshin prishjen e planeve të AKP-së për marrjen e resortit turistik nën menaxhim nga AKP-ja.

    Sipas drejtorit menaxhues të agjencisë, bazuar në informatat e siguruara nga Bordi i Përkohshëm Menaxhues i Brezovicës, Zlatiç u ka dhënë një instruksion të qartë politik punëtorëve të ndërmarrjes ‘Inex Sharr Planina Brezovicë’: të mos bashkëpunojnë me bordin e vendosur nga AKP-ja.

    “E ashtuquajtura Drejtoreshë iu ka dhënë instruksione të gjithë ish punëtorëve të ndërmarrjes që asnjëri nga ta të mos pranoj organet e zgjedhura nga AKP-ja dhe të mos nënshkruaj kontratë pune me ndërmarrjen shoqërore dhe AKP-në”, ka deklaruar Valon Tolaj në një përgjigje me shkrim për Gazetën Insajderi.

    Por, AKP-ja ka një strategji të qartë për Brezovicën.

    Pas diskutimeve me punëtorët dhe planeve për përfshirjen e tyre nën menaxhimin e ri të ndërmarrjes, agjencia e themeluar më 2008 për privatizimin e aseteve ekonomike të vendit u ka bërë thirrjeve punëtorëve – shumica e të cilëve vijnë nga komuniteti lokal serb në Komunën e Shtërpcës – që të nënshkruajnë kontratat e reja të punës.

    Në të kundërtën, siç ka thënë Tolaj, AKP-ja do të shpall një konkurs të ri për pranimin e punëtorëve në ndërmarrje.

    “Atyre [punëtorëve, v.j] iu është dhënë një afat 1 mujor  nga 10 qershori 2021 deri me 09 korrik 2021 që të lajmërohen tek Bordi i përkohshëm menaxhues i ndërmarrjes për te nënshkruar kontratat e punës ngase në të kundërtën ata nuk do te konsiderohen punëtorë të ndërmarrjes dhe në rast te mos paraqitjes se tyre do te shpallet konkurs i ri për punëtorët”, është shprehur Tolaj.

    Megjithatë asnjë punëtor nuk i është përgjigjur ftesës së Bordit Menaxhues të ndërmarrjes për nënshkrimin e kontratave të reja të punës.

    “Prandaj AKP ka në plan shpalljen e konkursit për pranimin e punëtoreve të rinj në mënyrë që ndërmarrja të jetë e gatshme për sezonin turistik që kryesisht fillon nga dhjetori”, ka paralajmëruar drejtori i AKP-së.

    Kundër veprimtarive ilegale të drejtoreshës së ashtuquajtur të ndërmarrjes ‘Inex Sharr Planina Brezovicë’ dhe punëtorëve të saj, AKP-ja ka inicuar procedura ligjore. I ka vënë në dijeni organet e rendit dhe ka ngritur një kallëzim penal ndaj tyre.

    “Organet e rendit janë njoftuar mbi vështirësitë qe po has AKP-ja në marrjen ne tërësi të menaxhimit të ndërmarrjes dhe është dorëzuar në prokurori kallëzimi penal ndaj disa punëtorëve që nuk kanë pranuar bashkëpunimin me AKP-në dhe Bordin e përkohshëm menaxhues të zgjedhur nga AKP-ja”, ka bërë të ditur drejtori i agjencisë.

    Pas vendosjes së ndërmarrjes ne Administrim Direkt, AKP-ja ka kërkuar nga Bordi i Përkohshëm Menaxhues që përveç punëve te menaxhimit, të përgatis një plan biznesi “që do te përfshinte mënyrën e funksionimit te ndërmarrjes, cilat janë nevojat e ndërmarrjes, cili është numri i punëtoreve te cilët do te duhej te angazhoheshin ne ndërmarrje dhe analiza te tjera”, sipas drejtorit Tolaj.

    “Bordi i Përkohshëm Menaxhues ka dorëzuar planin e biznesit i cili nuk është përfundimtar por ka nevojë për përmirësime te mëtutjeshme dhe i cili plan do te trajtohej ne te ardhmen edhe nga ekspertë tjerë te fushës dhe ku parashihen investime ne qendrën turistike me qellim qe te krijohen kushte me te mira për ata te cilët shfrytëzojnë resurset qe ka kjo qendër veçanërisht ato për turizëm dimëror”, ka thënë Tolaj.

    Përkundër vendosmërisë së AKP-së për ta avancuar procesin e marrjes nën menaxhim të Brezovicës, planet e agjencisë nuk korrespodojnë me ato të Qeverisë së Kosovës. Ekzekutivi, i cili më 27 maj shkarkoi Bordin Menaxhues të AKP-së, planifikon shuarjen e agjencisë.

    Megjithatë, Tolaj ka thënë se shpreson në koordinimin sa më të shpejtë të veprimeve të AKP-së me qeverinë.

    “Shumë shpejt shpresojmë të kemi takim dhe koordinim me zyrtarët e qeverisë për menaxhimin e përbashkët të situatës së krijuar”, ka konstatuar drejtori i AKP-së. “Kontaktet dhe kërkesa për takim informues janë bërë, dhe besojmë në konkretizim të koordinimit sa me shpejt”.

    Një koordinim mes qeverisë dhe agjencisë për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë për AKP-në e sheh të nevojshme edhe Berat Rukiqi, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës. Ai e konsideron me prioritet ‘çlirimin’ e në prej aseteve më të rëndësishme turistike të Kosovës nga kontestet ligjore dhe ato administrative.

    “Duhet të gjendet një zgjidhje e shpejtë, në mënyrë që të mos mbetet edhe më tutje peng i çështjeve administrative apo kontesteve ligjore të cilat e kanë përcjell përcjell këtë aset të rëndësishëm të Kosovës ndër vite dhe të sigurohet që të vendoset nën menaxhimin e autoriteteve të vendit”, ka deklaruar Rukiqi të hënën, në një bisedë telefonike për Insajderin.

    Rukiqi, konsideron se Qendra Turistike ‘Brezovica’ duhet t’i nënshtrohet një projekti të partneriteti publiko-privat.

     “Nga aspekti juridik është pak komplekse sepse ka kontestime nga Inexi, ndërmarrja që menaxhon me resortin, e cila e ka vonu zhvillimin e Brezovicës deri tani. Mendoj që në rastin e Brezovicës duhet të ketë projekte të partneriteteve publiko-private për zhvillimin e resortit”, është shprehur ai.

    Sipas Rukiqit, vendimmarrja mbi resortin turistik duhet të bie mbi nivelin qëndror, sepse sipas tij, “nëse mbetet nën menaxhimin e nivelit lokal atëherë i bie që Brezovica të mbetet peng e strukturave paralele serbe”.

    Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës – rajon ky i banuar me shumicë serbe apo në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit.

    Kjo qendër ishte pranë privatizimit në vitin 2015.

    Një konsorcium francez, i emërtuar “MDP Consulting –Compagnie des Alpes”, ishte shpallur fitues për privatizimin e qendrës turistike në Brezovicë, me një çmim prej 409 milionësh euro, nga të cilat 165 milionë pritej të investoheshin gjatë tri viteve të para, si dhe ishte premtuar hapja e 4.000 vendeve të reja të punës.

    Në investime parashihej zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim , të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

    Por, në qershor të vitit 2017, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të Qendrës turistike “Brezovica”, pasi që konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes”, pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.

    Investimet më të mëdha në Brezovicë ndodhën në vitet ‘70, në kohën e ish-Jugosllavisë.

    Në vitet pasuese u ndërtuan hotelet, teleferikët dhe objekte të tjera të rëndësishme për operimin e këtij lokacioni turistik.

    Asnjë investim i madh në infrastrukturë nuk ka ndodhur për më shumë se tri dekada në këtë vend. Aktualisht, qendra e skijimit operon me kapacitete të kufizuara dhe me infrastrukturë të vjetruar.

    Në 20 vjetët e parë të ndërtimit të saj, qendra e skijimit në Brezovicë ishte ndër më të vizituarat në rajon. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark