Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në SHBA, komunikimi midis agjencive të sigurisë, zbatimit të ligjit, institucioneve tjera publike dhe industrisë ka marrë drejtim tjetër dhe bazohet në koncept tjetër.
Qendrat e përbashkëta apo qendrave fuzionuese në nivel kombëtar (federal) dhe nivel shtetëror në SHBA qartësisht kanë dhënë efektet e veta pozitive.
Disa prej agjencive kryesore federale të zbatimit të ligjit janë bashkuar fizikisht me agjencitë në nivelin shtetëror, industrinë, ekspertët universitar dhe institucionet tjera publike. Punojnë non-stop, pra 24/7, në objekte të përbashkëta, me komunikim të rregullt, me përgjegjësi të ndara, me shpërndarje të informacioneve mes vete dhe me bord mbikëqyrës të posaçëm.
Koncepti i ekzistimit të mekanizmave ku agjencitë e ndryshme komunikojnë rregullisht dhe në kohë reale mes vete, tashmë është kthyer në një model funksionimi. Ky ndryshim i madh kishte dalë si rekomandim nga Raporti i Komisionit të veçantë për vlerësimin e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në relacion me 11 shtatorin 2001. Raporti i tillë ka ndryshuar dukshëm rrjedhat e komunikimit midis këtyre agjencive dhe institucioneve për të gjitha fushat e luftës kundër dukurive të këqija.
Në të vërtetë, 11 shtator 2001 ka ndryshuar botën dhe mënyrën e angazhimit të shteteve veç e veç dhe në aleancë. Qoftë për sigurinë e brendshme, qoftë për sigurinë e jashtme. Në mënyrën e përballjes me dukuritë e këqija.
Po Kosova?
Kur do të ndryshojë në përballjen me rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë në dhe ndaj Kosovës? Ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni?
Si do të ndryshojë? Cili është koncepti më i mirë për angazhimin e përbashkët të institucioneve dhe agjencive për të luftuar këto rreziqe dhe kërcënime? Çka duhet ndërmarrë në zhvillimin dhe koordinimin institucional për të siguruar suksesin në luftën ndaj të këqijave? Çka garanton ndërveprimin institucional? Çka garanton qasjen gjithëpërfshirëse për sigurinë dhe zbatimin e ligjit?
Koncepti në këtë drejtim duhet të ndryshojë menjëherë.
Institucionet e Kosovës duhet të ndërtojë mekanizmat e rinj të komunikimit dhe ndërveprimit institucional. Mënyrën e shpërndarjes së informatave në kohë reale midis institucioneve të sigurisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit.
Mekanizmi i tillë është një “Fusion Center” në Kosovë: Qendra e Përbashkët e Sigurisë (QPS).
Kjo Qendër do të duhet të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e informatave dhe analizën e tyre në kohë reale, pra 24/7, për të paktën këto fusha:
1) ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm; 2) korrupsioni; 3) krimi i organizuar; 4) krimet financiare dhe korrupsioni; 5) kërcënimet transmacionale; 6) krimi kibernetik; dhe 7) emergjencat.
QPS-ja do të ketë fokus të veçantë komunikimin me qytetarët dhe ndërmarrësit.
QPS-ja të ketë selinë e vet, potencialisht jashtë Prishtinës, duke mundësuar shpërndarjen e institucioneve edhe në qytete tjera. Në këtë Qendër do të duhet të përfshihen të gjitha institucionet dhe agjencitë përgjegjëse në këto fusha, ekspertë universitar, shoqëria civile dhe grupet e interesit.
Mandati i QPS nuk duhet të jetë vendimmarrës, por informacion-shpërndarës midis institucuoneve, analizues dhe informues. Pra, më shumë sesa konsultativ, por më pak se vendimmarrës.
Qëllimi i QPS-së të jetë ekzistimi i një mekanizmi kombëtar në nivel ekspertësh/profesionistësh nga agjencitë dhe institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, që punojnë bashkë në baza ditore dhe kohë reale. Kjo do të mundësonte ekzistimin e analizave të përbashkëta për këto dukuri negative, rreziqe dhe kërcënime, bazuar në shpërndarjen e informatave midis agjencive, institucioneve dhe të interesuarve tjerë.
QPS-ja do të mund të funksiononte nën lehtësimin e zyrës së Kryeministrit ose Ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa do të mbikëqyrej nga një Bord i veçantë i themeluar nga niveli i lartë politik (Legjislativ dhe Ekzekutiv) dhe i agjencive.
Produktet e të kësaj Qendre fuzionuese do të lehtësojë qasjen e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse në luftën kundër të keqes. Mandati i institucioneve dhe agjencive ekzistuese nuk ndryshon, ndërsa veprimet operative të tyre mbeten plotësisht autonome. Të angazhuarit në këtë qendër duhet të kalojnë nëpër procesin e verifikimit të sigurisë, ndërsa puna e tyre në parim është transparente dhe publike.
Në përgjithësi, kjo është logjikë e ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm dhe fuqizimit të qasjes së përbashkët, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse.