Dy persona janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së djeshme në dy raste të ndara, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh.
Rasti i parë ka ndodhur në Mitrovicë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.
Sipas raportit policor, viktima paraprakisht nuk ishte lajmëruar në telefon. Me asistencën e zjarrfikësve është hapur dera e banesës, ndërsa ekipi mjekësor, pasi ka dalë në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se gruaja kishte ndërruar jetë.
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rasti i dytë është raportuar në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku familjarët kanë njoftuar policinë se një person mashkull është gjetur pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.