Në një padi të ngritur në Nju Jork, pretendohet se kantautori Bob Dylan, kishte abuzuar seksualisht me një 12-vjeçare, në vitin 1965
Sipas dokumenteve të paraqitura të premten në Gjykatë, gruaja që tani është 68-vjeçare, e identifikuar si J.C. në padi, pretendon se gjatë një periudhe gjashtë javore, këngëtari ishte miqësuar me të, kishte krijuar një lidhje emocionale dhe në fund kishte abuzuar seksualisht disa herë, në mes prillit dhe majit të vitit 1965, kur ajo ishte 12-vjeçare.
Një prej zëdhënësve të Dylan, ka deklaruar se pretendimi i gruas është i pavërtetë dhe do të mbrohet me forcë.
Avokatët e J.C. pohojnë se Dylan e abuzoi seksualisht atë, nën ndikim të drogës, alkoolit dhe kërcënimeve për dhunë fizike, duke e lënë të lënduar emocionalisht dhe të dëmtuar psikologjikisht deri në ditët e sotme, shkruan CNN,
Sipas padisë, pretendohet se Dylan e përdori ndikimin e tij si muzikant i famshëm, duke e përdorur J.C. për ta fituar besimin e saj dhe për ta pasur nën kontroll.
J.C. pretendon se Dylan abuzoi seksualisht me të në apartamentin e tij në Hotel Chelsea në Nju Jork.
Një prej avokatëve të saj, i kontaktuar nga CNN, nuk ka pranuar të tregojë se si J.C. u takua me Dylan dhe nuk dha detaje mbi natyrën e pretendimeve për abuzim seksual.
“Ankesa flet vetë. Ne do t’i vërtetojmë të gjitha akuzat në një gjykatë. Ankesa u paraqit pas shumë kërkimeve dhe verifikimit të plotë dhe nuk ka dyshim se ajo ishte me të në Hotel Chelsea”, ka deklaruar avokati Daniel Isaacs.
J.C. e cila tani banon në Greenwich, ka deklaruar në padi se ka pasur dhe vazhdon të ketë shqetësime serioze dhe të rënda mendore, si ankth, poshtërim dhe siklet, si dhe humbje financiare. Ajo po kërkon dëmshpërblim nga Dylan.
Dylan, i lindur si Robert Allen Zimmerman në Duluth, Minesota, mbushi 80 vjet më 24 maj.
Ai ka shitur më shumë se 125 milionë disqe gjatë karrierës së tij. Disa nga këngët e tij më të famshme përfshijnë “The Times They Are a-Changin”, “Like a Rolling Stone” dhe “Blown ‘in the Wind”.
Në vitin 2008, Dylan fitoi një citim special të Çmimit Pulitzer për “ndikimin e tij të thellë në muzikën popullore dhe kulturën amerikane, të shënuar nga kompozime lirike me fuqi të jashtëzakonshme poetike”. Në vitin 2016, atij iu dha Çmimi Nobel në Letërsi për “krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane”.