×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Një jetë të tërë – flakë e ndezur Rugove

    Insajderi
    06 August 2024 - 13:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    (Musa (Vesel) Dembogaj, përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të një njeriu që e ka jetuar jetën e tij në shërbim të idealeve të lirisë dhe pavarësisë, për kulturë, traditë dhe flamur.                 

     Ai është një simbol i qëndresës dhe përkushtimit, i cili gjatë gjithë jetës së tij u kujdes për ekuilibrin midis detyrës kombëtare dhe dashurisë familjare, duke na mësuar se vlerat njerëzore duhet të mbeten në qendër të çdo veprimi)

    Shkruan: Valdet Hysenaj

    “Është amaneti i të madhit të Kastriotëve që të ruajmë unitetin tonë kombëtar, pasi të bashkuar bëhemi më të fortë, të bashkuar si gishtat e një dore duhet të jemi kurdoherë edhe në Rugovë”- thoshte Musa Dembogaj

    Pa përdorimin e burimeve të besueshme historike dhe akedemike, historia jonë do të ishte më pak e pasur, të vërteta e mëdha historike do të zveniteshin dhe do të mbeteshin në pluhurin e harresës.

    Ato janë njëkohësisht edhe prova më e mirë e faktit se shqiptarët e arritën lirinë e tyre përmes luftës së armatosur. Hise në këtë liri ka edhe Musë (Vesel) Dembogaj. Prandaj, jo rastësisht, tabanit kombëtar, kurorës së lavdisë, i është shtuar edhe një nderim, emri i tij, ndaj, në nderim të këtij udhëheqësi  të urtë dhe të guximshëm nga Rugova, i cili edhe pse është lartësuar në qiellin e përjetshëm,  ne, bashkëluftëtarët e tij do ta kujtojnë me pietet, njëherësh do të ndjekim dritën e tij si një farë të pazëshme që ndriçon rrugët e përditshmërisë.

    Gjatë këtij mijëvjeçari trungu shqiptar u copëtua dhe ricopëtua me dhjetëra herë, megjithatë, falë figurave emblematike kombëtare, si e Musës dhe qindra e qindra të tjerëve si ai jetoi e mbijetoi.                                                                                                            

    Në vend të letërnjoftimit

    Atdhetari nga Rugova, Musa Dembogaj u rrit në një familje me tradita të forta atdhetare, në një mjedis ku dashuria për atdheun dhe ruajtja e identitetit kombëtar ishin vlera të paçmuara, ai u formua si një njeri i përkushtuar ndaj idealit të lirisë dhe të drejtësisë. Që nga fëmijëria, ai u rrit me tregime dhe mësime për luftërat e paraardhësve të tij, duke e ngulitur në mendje ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit dhe popullit të tij. Si ushtar, ai u shqua për guximin dhe vendosmërinë e tij në mbrojtjen e atdheut. Për të, lufta nuk ishte thjesht një detyrë, por një thirrje shpirtërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e popullit të tij.

    Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në fushën e betejës. Pas përfundimit të luftës, ai vazhdoi të luftonte për të drejtat e komunitetit të tij përmes mjeteve paqësore dhe diplomacisë. Ai punoi për të promovuar edukimin, kulturën dhe zhvillimin ekonomik në rajonin e tij, duke u përpjekur që ta bëjë atë një vend më të mirë për brezat e ardhshëm. Përmes angazhimit të tij në çështjet sociale dhe politike, ai u bë një zë i fuqishëm për të drejtat jo vetëm të rugovasve, duke kërkuar njohje dhe respekt për identitetin dhe kulturën e tyre.

    Në përmbledhje, atdhetari nga Rugova, Musa Dembogaj, përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të një njeriu që e ka jetuar jetën e tij në shërbim të idealeve të lirisë, për kulturë, traditë dhe flamur. Ai është një simbol i qëndresës dhe përkushtimit, duke frymëzuar brezat e rinj që të ndjekin rrugën e tij dhe të vazhdojnë betejën për një të ardhme më të drejtë për të gjithë.

    Jeta e tij u shumëzua me shumësi të arriturash

    Veçojmë:

    Pjesë aktive e ilegales në Rugovë, në vitet e 60-ta dhe 70-ta, me në krye atdhetarin Isa Demaj dhe shokun e tij të ngushtë, njëherësh anëtarin e treshes së tij, Ahmet Kurbogajn nga Shkreli.

    Komandant i Mbrojtjes Territoriale gjatë viteve 1970/80

    Anëtar i LDK-së,  që nga formimi 1989 dhe raportues i rregullt në KMDLNJ për fshatrat që nga Gorazhdevci deri në Kerstovc, në bashkëpunim me kryetarin e këtij Këshilli Tahir (Musë) Demaj.

    Organizator dhe pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet me peshë kombëtare, veçanërisht në demostratat e fuqishme të viteve 90, të cilat drodhën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

    Pjesëmarrës në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, me theks të veçantë kontribuues në organizimin e tubimit gjithëkosovar të Pajtimit të Gjaqeve, në Rugovë, në Shtupeq të Madh, në Livadhin e Pajtimit, më 1990.

    Bashkëpunëtor besnik i komandantit Smajl Hajdaraj, ku që në nismë bashkë me shumë bashkëveprimtarë të tjerë kishin filluar përgatitjet për luftë të armatosur dhe mbrojtje të Rugovës, territorit dhe banorëve të saj, që nga maji i vitit 1998, ku ishin të strehuar mbi 12.000 banorë anekënd Kosovës.

    Kontribuues i Lojërave Tradicionale të Rugovës.

    Kurorëzimi: Udhëheqës, organizator, komandant, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Luftëtar i Lirisë

    Rikujtesë

    Me të nisur lufta e armatosur, ai veshi uniformën e UÇK-së, nën flamurin dardan të burrështetasit Ibrahim Rugova, arkitektit të shtetit të Kosovës dhe në komandën e komandantit emblematik të Rugovës Smajl Hajdaraj, bashkë me anëtarët e tjerë të Shhtabit, Selman Lajqi, Idriz Kurbogaj, Ramiz Muriqin, Demë Dashaj, Naim Dashaj, Ujkan Nikqi, Sokol Muriqi, Tahir Cukaj, Ramë Elezi e dhjetëra komandantë të shquar të Shtabeve Lokale, bashkë me gjakun e lirisë të Selman Lajqit, Besnik Lajqit, Ramush Lajqit, Xhavit Lajqit, Faton Nikqit, Rifat Shalës, Asllan Nikqit, Ramë Lajqit, bashkë me gjakun e martirëve Sokol Lajqi e Tane Husaj,   bashkë me ruajtjen, përcjelljen dhe strehimin e mbi 30 mijë të zhvendosurish, në gusht, shtator 1998 dhe prill 1999, bashkë me shpëtimin e qindra të plagosurve, janë dëshmi se përpjekjet e tij me bashkëluftëtarë për çlirim të popullit shqiptar nuk munguan as kësaj radhe.

    Përpjekjet e popullit shqiptar në viset e tyre etnike për liri e pavarësi datojnë shumë shekuj më herët, datojnë fuqishëm edhe në Rugovë, edhe në në familjen e Musë Veselit, familje kjo e njohur në këto anë për trimëri, besë e burrëri.      

    Historia e kombit tonë është e mbushur me ngjarje të dhimbshme, kujtojmë dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet e veta etnike në Toplicë, Jabllanicë, Kushumli e Prokuple, kujtojmë vrasjen e Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Ismet Raci, Ukë Bytyqit, Besim Dajakut, etj. Kujtojmë sakrificën dhe heroizmin e familjes së Jasharajve, kujtojmë Reçakun, Izbicën, Mejen, Krushën e Madhe … kujtojmë varret e hapura që akoma s’u kanë ardhur të zhdukurit…

    Lindja e UÇK-së, vuri themelet e historisë sonë më të re, duke e rivendosur dinjitetin tonë kombëtar, me luftën e drejtë të saj, me luftën e Musës me bashkëluftëtarë,  duke e detyruar botën e civilizuar që t’i thërrasë ndërgjegjes, e cila u kurorëzua me intervenimin e  NATO-s në Kosovë.

    Me guxim dhe përkushtim, me vizion të qartë dhe shpirt fisnik prej rugovasi, udhëhoqi bashkëluftëtarët e UÇK-së drejt lirisë dhe pavarësisë, në cilësinë e:

    –              Komandantit të SHL Bogë;

    –              Komandantit për 6 fshatrat e Rugovës së Epërme; 

    –              Shefit të Operativës në Shtabin Rajonal “RUGOVA” dhe

    –              Shefit të Operacioneve në Brigadën “136 RUGOVA”,  duke mbrojtur kështu me krenari dhe dinjitet,  në kohërat më të vështira, vlerat dhe identitetin kombëtar.

    Rugova dhe Kosova nuk do të harrojë guximin e tij në betejën për liri për një jetë të tërë, komandanti ynë i përkushtuar dhe shembulli i padiskutueshëm i trimërisë.

    Në kodrat e luftës, ishte udhëheqës, një dritë e shkëlqyer në errësirat e heshtjes.

    Narratori

     Humanitar dhe prind i mirë, kombëtar me nder, ushtar guximtar, njeri në lartësi të identitetit kombëtar. Në zemrat tona, shenjtor respekti, sepse veprimtaria e tij rrodhi si lumë, në mbamendje të përqëndrimit. Lavdërojmë aktivitetin e tij, shembull për gjenerata, burrë i çmuar në shoqëri, fjalët e tij flisnin për liri, mirëkuptim dhe paqe, në kreshtën e të kujtuarit, në këtë fletë të shkrirë me respekt, përkujtojmë këtë bashkëluftëtar fisnik. Në ditët e tij, ai ishte më shumë se një personazh; ishte një shembull i madhështisë dhe trimërisë njerëzore. Në kohë të vjetra, heronjtë shpesh lindin në kohëra të vështira dhe bëhen burra nga një lloj shpirti, të cilin njëra prej brezave të ardhshme do ta kujtojë si një amuletë të pazëvendësueshme të guximit dhe ndershmërisë. I tillë ishte Musa.

    Në fushën e nderit, ai udhëhoqi me dinjitet, duke shkëlqyer në errësirat e së keqes. Dhe kur rruga ishte e vështirë, ai hapëroi me forcën e tytës me udhëheqje të pashoqe, duke na treguar se bashkëpunimi dhe përkushtimi mund të bëjnë mrekulli edhe në momentet më të vështira.

    Në shtëpinë e tij, ai ishte prind i dashur dhe burrë i mençur, i cili nuk e humbi kurrë kontaktin me humanizmin dhe respektin ndaj të tjerëve. Ai kujdesej për ekuilibrin midis detyrës kombëtare dhe dashurisë familjare, duke na mësuar se vlerat njerëzore duhet të mbeten në qendër të çdo veprimi tonë. Në jetën e përditshme, ai ishte një qytetar i çmuar, i njohur për integritetin dhe kontributin e tij në përmirësimin e shoqërisë. Me gjuhën e tij të qartë dhe veprimet e tij të guximshme, ai arriti të ndërtojë një urë lidhëse mes brezave, duke na treguar se edukimi dhe përkushtimi mund të çojnë në ndryshime thelbësore. Në qiellin e lavdisë, kujtimi i tij do të vazhdojë të shkëlqejë si një yll i ndriçuar, që na udhëheq dhe na frymëzon në rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të ndritshme. Ai do të mbetet gjithmonë si një shembull i pasur dhe frymëzues i çdo gjenerate që do të vijë.

    Në vend të përfundimit

    Në kohërat e vështira, ai kishte krenari dhe vendosmëri për të mbrojtur vlerat dhe identitetin kombëtar. Në secilin hap ai shfaqi trimëri dhe strategji të rrallë, duke treguar se me unitet dhe vendosmëri, asgjë nuk është e pamundur. Jeta dhe sakrificat e tij janë një urdhër i pashoq për të gjithë ne, për të ruajtur dhe për të pasur respekt ndaj lirisë dhe integritetit tonë kombëtar. Kujtimi i tij do të mbetet një dritë që shkëlqen në historinë tonë, duke na frymëzuar për gjenerata të tëra. Le t’i kujtojmë këto fjalë me nderim dhe dashuri, duke ndihmuar të kultivojmë dashurinë dhe respektin për vlerat që ai përfaqësoi me aq krenari dhe guxim.

    Do ta nderojmë e kujtojmë me respekt, sepse një jetë të tërë ishte flakë e ndezur Rugove.

    Po e përfundojmë me një thënie të Xhon Kenedit: “Një shtet i cili ka frikë që t’i lejojë njerëzit e tij ta gjykojnë të vërtetën dhe të rremen në një treg të hapur është një shtet që ka frikë prej njerëzve të tij”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark