×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Një ligj i ri për mbrojtjen e konkurrencës në tregun e Kosovës

    Insajderi
    17 June 2022 - 16:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ligji i ri nr. 08/L-056 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe publikuar në  Gazetën Zyrtare me nr. 14, më datë 7 Qershor dhe pritet të hyjë në fuqi më datë 22 Qershor 2022 (“Ligji i ri”). Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, i cili është hartuar në përputhje me rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian, shfuqizohen Ligji nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit bazë. Brenda 18 muajve, pritet që Autoriteti të nxjerrë aktet nënligjore të parapara në Ligjin e ri si dhe të harmonizojë statutin e tij dhe aktet e tjera të përgjithshme me këtë ligj.

    Një risi e Ligjit të ri është përcaktimit i detajuar i fushëveprimit të tij, që përfshin dhe  ndërmarrjet të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike lidhur me kryerjen e shërbimeve me interes të përgjithshëm (siç janë për shembull ndërmarrjet e ujësjellësit), ato që kanë karakterin e një monopoli që krijon të hyra, apo ato që kanë të drejta ekskluzive, për aq sa zbatimi i Ligjit të ri nuk i pengon këto ndërmarrje në detyrat e tyre ligjore apo statusore.  

    Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, i jepet zgjidhje konfuzionit që krijohej me ligjin e vjetër, sipas të cilit një shoqëri e huaj e cila realizonte të ardhura në tregun e huaj në vlerë mbi 20milion Euro, dhe e cila do të blinte aksionet e një ndërmarrjeje Kosovare drejtpërdrejtë apo tërthorazi, edhe pse ndërmarrja vendore që synohej të blihej nuk realizonte asnjë të ardhur ne Kosove, (pra mund ta kishte fitimin vjetor 0 apo të rezultonte dhe me humbje në vitin financiar para transaksionit), pala blerëse duhej që në çdo rast ta njoftonte dhe të merrte miratim paraprak për këtë transaksion në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (“Autoriteti”). Kjo ndodhte pasi sipas nenit 15 të ligjit të mëparshëm, nuk përcaktohej asnjë vlerë limit e të hyrave vjetore të shoqërisë vendore sipër së cilës  palët duhej të merrnin miratim tek Autoriteti. Pra, në çdo rast, edhe kur blihej një shoqëri me vlerë ekonomike të vogël, mjaftonte plotësimi i kriterit të “prezencës” në Kosovë, që nënkupton ekzistencën e një shoqërie tregtare të regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit, që transaksioni të kualifikohej mes atyre që kërkojnë miratim për lejim nga Autoriteti.

    Logjika ekonomike qartësisht të çon në analizën e thjeshtë se, nëse një shoqëri e huaj, sado e madhe qoftë ajo sa i përket të hyrave që realizon në nivel ndërkombëtar, nuk mund të cenoje dot konkurrencën në tregun Kosovar për arsye se blen apo përfiton kontrollin mbi një shoqëri/ndërmarrje vendase, e cila ka të hyra të ulëta në dhe në fakt nuk zë asnjë përqindje ose zë një përqindje të ulët të tregut relevant.

    Të mos harrojmë këtu se marrja e pëlqimit nga Autoriteti për transaksionin në fjalë shoqërohet me kërkesën për pagesën e tarifës zyrtare prej EUR 3000, shumë kjo e cila në rastin e blerjes së një ndërmarrje me të hyra të ulëta dhe që qartësisht nuk e cenonte konkurrencën, nuk gjente arsye të mjaftueshme ligjore dhe ekonomike për t`u zbatuar. Kjo procedurë, në fakt sillte si pasojë që ndërmarrjet të shmangeshin nga detyrimi i kryerjes së njoftimit dhe marrjes së miratimit për lejimin e transaksionit të synuar në Autoritet, duke e pasur dhe dijeninë se edhe nëse transaksioni i tyre do të “kapej” nga Autoriteti, pas hetimit përkatës, do të rezultonte që transaksioni në fjalë nuk e cenonte konkurrencën në treg.

    Ligji i ri e përcakton këtë moment, ku sipas nenit 13 caktohet qartë se nevoja për marrje miratimi për lejim në Autoritet, lind kur pjesëmarrësit në përqendrim, përveç qarkullimet të përbashkët në tregun ndërkombëtar prej mbi 20 milionë euro duhet edhe që njëri pjesëmarrës në përqendrim të plotësojë kushtin e të hyrave mbi një (1) milion euro qarkullim në tregun e Kosovës.

    Gjithashtu, Ligji i ri përcakton qartë momentin se kur nevojitet të paraqitet kërkesa për lejimin e përqendrimit pranë Autoritetit, që është momenti pas lidhjes së kontratës me të cilën fitohet kontrolli i ndërmarrjes, ose pas bërjes publike të përqendrimit, por në çdo rast, para realizimit të përqendrimit që do të thotë para hyrjes në fuqi të kontratës.

    Risi e rëndësishme e Ligjit të ri është e drejta që i jepet pjesëmarrësit në përqendrimit, që t’i kërkojë Autoritetit  një vërtetim për lejimin e përqendrimit, të cilin Autoriteti e lëshon brenda shtatë (7) ditëve nga kërkesa, nëse  mbështetur në njohuritë apo dokumentet dhe të dhënat e dorëzuara nga kërkuesi, çmohet se përqendrimi i synuar nuk ndalohet sipas Ligjit të ri dhe nëse Autoriteti nuk ka nxjerr konkluzion për fillimin e procedurës së vlerësimit të përqendrimit brenda 30 ditëve pasi pranon kërkesën e plotë për lejimin e përqendrimit. Sipas ligjit të mëparshëm, palët në çdo rast do të prisnin lëshimin e një vendimi nga Autoriteti, edhe pse nevoja për fillimin e procedurës së vlerësimit të përqendrimit dhe marrjen e një vendimi nga Autoriteti mund të ishte qartazi e panevojshme në mjaft raste.

    Më tej procedura e vendimmarrjes në Autoritet sipas Ligjit të ri, parashikon për një afat 60 ditor nga nxjerrja e konkluzionit për fillimin e procedurës së vlerësimit të përqendrimit për marrjen e një vendimi për lejimin, lejimin nën kusht, apo për ndalimin e përqendrimit.

    Duke synuar që Ligji i ri të sillet sa më pranë ndërmarrjeve në treg dhe duke marrë për shembull praktikën e Autoriteteve të Konkurrencës së vendeve të BE-së dhe ato të rajonit, do të ishte e këshillueshme që Autoriteti të përgatisë dhe publikojë edhe një format të gatshëm të “Njoftimit të përqendrimit“ apo “Njoftimit të marrëveshjeve”, e cila do t’ua lehtësonte punën dhe vinte mjaft në ndihmë ndërmarrjeve, për t`i plotësuar vetë këto forma dhe për t`i njoftuar më pas në Autoritet transaksionet e synuara, pa qenë nevoja për t’u drejtuar tek juristët e specializuar në çështjet e konkurrencës për të kryer një njoftim të këtij lloji.

    Jona Bica Kaçinari, Konsulente ligjore
    KALO&ASSOCIATES

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark