Insajderi
Lajme

Një muaj paraburgim për të arrestuarin për drogë në Pejë

Insajderi
18 July 2026 - 11:51
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Një muaj paraburgim për të arrestuarin për drogë në Pejë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Mirlind Maksutajt, i dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit, paraburgimi do të zgjasë nga 17 korriku deri më 16 gusht 2026, ndërsa seanca dëgjimore është mbajtur më 18 korrik 2026 në Gjykatën Themelore në Pejë.

Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke u bazuar në nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, rrezikut të arratisjes, ndikimit në procedurën penale dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.

Dosja e prokurorisë, si u kap nga policia Mirlind Maksutaj?

Sipas dosjes së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Mirlind Maksutaj ka kryer veprën penale për të cilën po hetohet dhe se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

Dyshimi mbështetet në raportin policor për kontrollin dhe sekuestrimin pa urdhër të gjykatës, procesverbalet e kontrollit, fotografitë e provave, si dhe dokumentacionin tjetër hetimor.

Sipas dosjes, gjatë kontrollit janë sekuestruar 34 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, tetë qese të tjera me të njëjtën substancë, 370 euro para të gatshme dhe një telefon mobil.

Masa e paraburgimit është propozuar edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit në procedurën penale dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Çka sekuestroi Policia gjatë veprimeve hetimore?

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, i dyshuari më 16 korrik 2026, pas orës 20:00, në fshatin Isniq të Deçanit, dyshohet se ka shitur dhe poseduar për shitje substancë narkotike të llojit kokainë.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se kishte ndarë narkotikun në 44 qese me qëllim shitjeje, ndërsa rreth një gram kokainë, të ndarë në dy qese, ia kishte shitur një personi, i cili më pas ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në drejtim të Gjakovës, ku ishte gjetur substanca e dyshuar narkotike.

Prokuroria pretendon se, pasi kishte vërejtur zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, i dyshuari kishte tentuar të largohej dhe ta hidhte narkotikun afër lokalit ku punonte, por substanca ishte gjetur dhe sekuestruar nga hetuesit.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 34 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të vendosura në një kuti plastike, tetë qese të tjera të mbështjella me foli alumini, 370 euro para të gatshme, si dhe një telefon mobil.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka analizuar raportet policore, procesverbalet e kontrollit dhe sekuestrimit, fotografitë e provave, si dhe dokumentacionin tjetër të lëndës.

Po ashtu, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, i dyshuari figuron i përfshirë në 12 raste të ndryshme penale si i dyshuar, prej të cilave katër lidhen me vepra penale kundër narkotikëve.

“Nga analizimi i këtyre shkresave konsideroj se është e nevojshme që të fillohen hetimet pasi nga provat e parashtruara rrjedh dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale të përshkruar në dispozitivin e këtij aktvendimi”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark