Insajderi
Lajme

Një “non-paper” për Asociacionin: Propozohet një ligj i ri për zgjidhjen e ngërçit

Insajderi
15 November 2022 - 23:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Një “non-paper” për Asociacionin: Propozohet një ligj i ri për zgjidhjen e ngërçit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Miratimi i një ligji të ri me emrin Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal, do të ishte zgjidhja për ta kapërcyer ngërçin shumëvjeçar lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thuhet në një “non-paper” që ka rrjedhur së fundmi, e që është siguruar nga një medie në Kosovë.

Ky është një prej “non-paper” diplomatik që shërben për ta gjetur rrugën për themelimin e Asoaciacionit, pra edhe vazhdimit të negociatave bazuar në propozimin franko-gjerman. Është dokument mbështetës juridik.

Sipas mediumit, ky dokument ofron këshilla lidhur me Asociacionin, duke u bazuar në formimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), për të cilin thotë se komunat nuk gëzojnë lirinë e asociimit që u është dhënë individëve me Kushtetutë.

“Çdo nocion se komunat mund të themelojnë një OJQ për t’i përfaqësuar ato, nuk përbën logjikë ligjore. Autoritetet e Kosovës duhet të revokojnë menjëherë regjistrimin e AKK-së pasi ekzistenca e AKK-së si OJQ, përbën shkelje flagrante të ligjit dhe tallje me parimet themelore të qeverisjes demokratike”, thuhet në këtë “non-paper”.

Në konkluzionet thuhet se nisja e diskutimeve është rruga e drejtë për kapërcimin e ngërçit. Aty thuhet se ky ligj do vendoste edhe parimin e barazisë juridike.

“Nisja e diskutimeve/konsultimeve për hartimin dhe shpalljen e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal është rruga më e mirë për të kapërcyer ngërçin shumëvjeçar. Pos zgjidhjes së problemit të karakterit juridik të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ky ligj do të vendoste edhe parimin e barazisë juridike të të gjitha organizatave të themeluara nga komunat, përfshirë Asociacionin”. 

Po ashtu thuhet se  miratimi i Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal ofron kornizën për t’i adresuar shqetësimet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe njëkohësisht për t’i përmbushur objektivat e marrëveshjes së vitit 2015, në lidhje me themelimin e Asociacionit.

“Këto çështje mund të jenë gjithashtu të dobishme në gjetjen e formulave për të adresuar shqetësime të tjera që lidhen me Asociacionin. Nëpërmjet kësaj mënyre, Kosova demonstron përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe seriozitetin si një partnere e besueshëm e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në konkludime.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark